Aktualitet

Thesari bllokon pagat e magjistratëve, reagojnë shoqatat: Të ndërhyjë Ministria e Financave

Në reagimin e tyre, Unioni i Gjyqtarëve, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Shoqata e Prokurorëve i bëjnë thirrje Ministrisë së Financave dhe strukturave përgjegjëse të Thesarit që të ndërhyjnë menjëherë për zhbllokimin e pagesave.

M.K.
Thesari bllokon pagat e magjistratëve, reagojnë shoqatat: Të
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË- Pagat e magjistratëve dhe të një pjese të administratës së sistemit të drejtësisë nuk janë ekzekutuar, pavarësisht se përllogaritja e tyre është bërë sipas formulës së re të përcaktuar në zbatim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Unioni i Gjyqtarëve, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Shoqata e Prokurorëve kanë reaguar lidhur me situatën, duke e cilësuar të papranueshëm bllokimin e pagesave në fazën e ekzekutimit financiar.

Sipas shoqatave, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë kanë ndërmarrë hapat administrativë për zbatimin e formulës së re të pagave. KLGJ e miratoi pagën referuese bazë me vendimin e datës 26 gusht, ndërsa KLP me vendimin e 28 gushtit, duke parashikuar zbatimin e saj nga 1 gushti 2026. Megjithatë, pavarësisht përllogaritjeve dhe urdhrave për pagesë, ekzekutimi financiar nuk është kryer për pjesën më të madhe të sistemit të drejtësisë. Nga te dhënat e bëra publike nga shoqatat, vetëm në dy zyra prokurorie në vend pagat e magjistratëve janë ekzekutuar sipas listëpagesave të reja. Ndërkohë, në pjesën tjetër të sistemit, pagesat vijojnë të jenë të bllokuara.

Shoqatt paralajmërojnë se situata nuk prek vetëm magjistratët, por edhe punonjësit e administratës gjyqësore dhe të prokurorisë të cilët gjithashtu po përballen me vonesa në marrjen e pagave. Në reagimin e tyre, Unioni i Gjyqtarëve, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Shoqata e Prokurorëve i bëjnë thirrje Ministrisë së Financave dhe strukturave përgjegjëse të Thesarit që të ndërhyjnë menjëherë për zhbllokimin e pagesave.

Sipas tyre mos zbatimi në praktikë i një vendimi të Gjykatës Kushtetuese krijon shqetësime serioze për funksionimin normal të sistemit të drejtësisë dhe respektimin e vendimeve kushtetuese.

Shoqatat bëjnë të ditur gjithashtu se, nëse situata nuk zgjidhet menjëherë, do të ndjekin të gjitha mjetet ligjore në dispozicion dhe do të kërkojnë përgjegjësi për personat apo strukturat që kanë penguar ekzekutimin e pagesave .

Reagim i Unionit të Gjyqtarëve dhe Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve dhe Shoqatës së Prokurorëve

Unioni i Gjyqtarëve, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Shoqata e Prokurorëve, në vijim të qëndrimeve të përbashkëta lidhur me zbatimin e vendimit nr. 15, datë 17.02.2026 të Gjykatës Kushtetuese, shprehin shqetësimin e thellë për situatën e paprecedentë të krijuar aktualisht, ku sipas të dhënave, pagat e magjistratëve, funksionarëve të organeve të sistemit të drejtësisë, si dhe të personelit të administratës gjyqësore dhe asaj të prokurorisë nuk po ekzekutohen.

Siç është njoftuar më parë, pas mbarimit të afatit të caktuar nga Gjykata Kushtetuese, nga data 01.08.2026, përllogaritja e pagave të magjistratëve duhet të kryhet mbi bazën e formulës së përcaktuar nga vetë Gjykata Kushtetuese. Kjo formulë zbatohet me efekt prapaveprues edhe për periudhën 01.04.2023–31.07.2026. Në zbatim të këtij detyrimi, institucionet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë kanë ndërmarrë veprimet përkatëse administrative. Këshilli i Lartë Gjyqësor, me vendimin nr. 435, datë 26.08.2026, si dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, me vendimin nr. 144, datë 28.08.2026, kanë miratuar pagën referuese bazë të magjistratit, sipas arsyetimit të vendimeve nr. 15/2026 dhe nr. 35/2022 të Gjykatës Kushtetuese, duke përcaktuar zbatimin e saj për periudhën nga data 01.08.2026 e në vazhdim. Njëkohësisht, njësitë përgjegjëse për buxhetin janë ngarkuar të fillojnë pagesën e pagave sipas përcaktimit të ri.

Megjithatë, sot, më datë 02.09.2026, në mënyrë të paprecedentë, ky proces është penguar në fazën e ekzekutimit financiar. Si pasojë e veprimeve dhe mosveprimeve të strukturave përgjegjëse të Drejtorisë së Thesarit, pagat e magjistratëve, ndonëse janë përllogaritur dhe urdhëruar për pagesë në zbatim të vendimmarrjeve përkatëse, nuk po ekzekutohen. Pasojat e kësaj situate nuk kufizohen vetëm te magjistratët, por shtrihen në mënyrë të drejtpërdrejtë në funksionimin financiar dhe administrativ të institucioneve të sistemit të drejtësisë. Përjashtimisht, nga të dhënat e administruara, rezulton se vetëm në zyrat e dy prokurorive në vend janë ekzekutuar pagat e magjistratëve, sipas listëpagesave të dërguara me përllogaritjen e re si më lart, ndërkohë që për pjesën tjetër të sistemit të drejtësisë nuk është bërë ekzekutimi i tyre.

Shoqatat e magjistratëve e konsiderojnë të papranueshme që një vendim i Gjykatës Kushtetuese, përfundimtar, i detyrueshëm dhe drejtpërdrejt i zbatueshëm, si dhe për zbatimin e të cilit institucionet përgjegjëse kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme administrative, të mbetet pa efekt praktik dhe që magjistratët dhe funksionarët e tjerë të sistemit të drejtësisë të mbeten pa paga për shkak të pengesave të krijuara në hallkën e ekzekutimit financiar.

Çdo vonesë apo pengim në ekzekutimin e pagesave të miratuara dhe të urdhëruara sipas formulës së përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese nuk përbën thjesht një çështje teknike apo procedurale të administrimit buxhetor. Në këtë rast, bëhet fjalë për një situatë që prek drejtpërdrejt funksionimin normal të sistemit të drejtësisë, sigurinë financiare të magjistratëve dhe efektivitetin e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese. Për rrjedhojë, ajo prek respektimin e themeleve të rendit kushtetues dhe të parimit të shtetit të së drejtës, si dhe prodhon pasoja të drejtpërdrejta financiare dhe institucionale. Vonesat në ekzekutimin e detyrimeve sjellin pasiguri financiare dhe mund të krijojnë detyrime financiare shtesë për institucionet publike për shkak të diferencave të papaguara dhe pasojave që mund të rrjedhin prej tyre. Një situatë e tillë krijon një precedent tejet shqetësues për mënyrën e respektimit dhe zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese në një shtet të së drejtës. Për më tepër, është veçanërisht domethënës fakti që pagat e magjistratëve janë ekzekutuar në dy prej zyrave të sistemit të drejtësisë, ndërkohë që për pjesën tjetër, pagesat vijojnë të jenë të bllokuara. Ky fakt konfirmon se zbatimi financiar i vendimmarrjeve për pagat është i mundur dhe se mosekzekutimi i tyre në pjesën tjetër të sistemit është i pajustifikueshëm. Një situatë e tillë e bën situatën edhe më të papranueshme dhe ngre një shqetësim serioz për ligjshmërinë e mosekzekutimit të pagesave në njësitë ku ato nuk janë kryer. Për këto arsye, i bëjmë thirrje të menjëhershme strukturave përgjegjëse administrative të Drejtorisë së Thesarit që të përmbushin detyrimet e tyre dhe të mos pengojnë ekzekutimin e pagesave të urdhëruara nga institucionet e sistemit të drejtësisë, në zbatim të vendimit nr. 15, datë 17.02.2026, të Gjykatës Kushtetuese. Njëkohësisht, i bëjmë thirrje Ministrisë së Financave që të marrë masat e nevojshme për të garantuar ekzekutimin e menjëhershëm të pagave të magjistratëve dhe funksionarëve të sistemit të drejtësisë, si dhe që ky proces të mos shndërrohet në një burim të mëtejshëm dëmi financiar për sistemin e drejtësisë dhe institucionet publike.

Në mënyrë të veçantë, i kërkojmë Ministrit të Financave që, në ushtrim të përgjegjësive të tij institucionale, të marrë masa të menjëhershme për të garantuar që strukturat administrative në varësi të tij të veprojnë në përputhje me efektet detyruese të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe të mos pengojnë zbatimin e tyre për shkak të procedurave të administrimit apo ekzekutimit buxhetor.

Situata e krijuar nuk prek vetëm magjistratët. Pengimi i ekzekutimit të listëpagesave dhe i veprimeve financiare të institucioneve të drejtësisë po sjell pasoja të drejtpërdrejta edhe për administratën gjyqësore dhe administratën e prokurorisë, duke bërë që edhe punonjësit e këtyre administratave të mbeten pa marrë pagat e tyre në afatet përkatëse, ndonëse nuk janë subjekte të vendimmarrjes së

Gjykatës Kushtetuese për pagat e magjistratëve. Bllokimi i pagave të punonjësve të administratës gjyqësore dhe të prokurorisë cenon drejtpërdrejt funksionimin normal të institucioneve të drejtësisë.

Për këtë arsye, kërkohet ndërhyrja e menjëhershme e Ministrit të Financave për garantimin e vijimësisë së pagesave, zhbllokimin e situatës së krijuar dhe marrjen e masave të nevojshme që raste të tilla të mos përsëriten.

Unioni i Gjyqtarëve, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Shoqata e Prokurorëve do të vijojnë ta ndjekin nga afër situatën, duke konsideruar çdo vonesë të mëtejshme në ekzekutimin e pagave si një situatë absolutisht të papranueshme për funksionimin normal të sistemit të drejtësisë dhe si cenim të zbatimit të vendimit detyrues të Gjykatës Kushtetuese. Në mungesë të një zgjidhjeje të menjëhershme, shoqatat do të përdorin të gjitha mjetet ligjore në dispozicion, përfshirë kërkimin e përgjegjësive ligjore të personave dhe strukturave përgjegjëse për pengimin ose moskryerjen e pagesave./ZËRI

Poll

MOS HUMB