
TIRANË-Gjykata ka dhënë urdhër për kontrollin e banesave të Arben Isufajt, i njohur me nofkën “Ben Qimja”, pas akuzave të ngritura ndaj tij për kanosje me jetë të gjyqtarit Vladimir Cjapi. Gjyqtari është kërcënuar nga 55 vjeçari më 12 shkurt të vitit 2025 dhe pak ditë më vonë në datën 17 shkurt është bërë kallëzimi nga ana e gjyqtarit. Sipas policisë, 55-vjeçari është shpallur në kërkim për veprat penale “Kanosja e gjyqtarit” dhe "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit".
Isufaj është i njohur për aktivitetet e tij të paligjshme, përfshirë trafikun e drogës dhe veprimtari të tjera kriminale. Kujtojmë se Isufajt i janë konfiskuar në tetor të 2023, 1 ndërtesë, 1 truall, një dyqan dhe një makinë, ndërkohë që emri i tij ka dalë në skenë gjatë Operacionit Forca e Ligjit (OFL).
Hetimi pasuror për Ben Qimen nisi në Maj të 2021 nga Prokuroria e Posaçme, e cila në kuadër të ligjit anti-mafia, i sekuestroi atij fillimisht 13 pasuri. Arben Isufaj ishte edhe subjekt i Operacionit Forca e Ligjit dhe iu kërkua të justifikonte pasurinë edhe në vitin 2020. Sipas autoriteteve ai është person i përfshirë në çështje të trafikut të drogës si pjesë grupeve kriminale. Për të njëjtën akuzë ai u arrestua dhe në 2014 për llogari të drejtësisë italiane./ZËRI