TIRANË- Gjykata e Apelit ka liruar nga qelia ish-kryeprokurorin e Vlorës Aurel Zarka, i cili mbahej në burg që prej qershorit të vitit 2024.
Zarka u dënua me vendim të formës së prerë me 4 vite burg për “korrupsion” dhe “ndikim të paligjshëm” në çështjen e njohur si Toyota Yaris, dënim që u reduktua në 2 vite e 8 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Ish-prokurori Aurel Zarka u deklarua fajtor më 20 maj të 2024 për korrupsion dhe ndikim të paligjshëm të kryer në bashkëpunim.
Sipas SPAK-ut, prokurori Zarka dhe personat e tjerë kanë ushtruar ndikim të paligjshëm në tetë çështje penale që po hetoheshin në katër prokurori të ndryshme – çështje që lidhen kryesisht me aktivitete të krimit të organizuar si pastrimi i parave apo kultivimi i narkotikëve.
Interesi kryesor i të pandehurve duket se lidhej me çështjen penale të njohur si “Toyota Auris”, e cila u regjistrua pas bllokimit në portin e Durrësit, në qershor të vitit 2018, të 3.4 milionë eurove ‘cash’ të fshehura në dy makina të përdorura dhe të importuara nga Belgjika. Në lidhje me ngjarjen, u arrestuan fillimisht Klevi Çani, Edi Lika dhe Alban Mollaymeri, ndërsa u akuzuan kushërinjtë Elvis Vladi dhe Alfred Vladi.
Gjashtë vjet më vonë, në vitin 2024, si rrjedhojë e të dhënave të përftuara nga aplikacioni Sky ECC, SPAK arrestoi prokurorin e Vlorës Aurel Zarka, avokatin Radovan Çela, Astrit Vladin – vëllain e Elvis Vladit – dhe shpalli në kërkim hetuesen e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Eriona Daupaj. /ZËRI