TIRANË-Detaje të reja janë zbardhur nga aksioni i zhvilluar në Tiranë ku u godit një rast i trafikut të armëve nga Kosova në Shqipëri. Në pranga u vendos një 27-vjeçar nga Kosova Dugagjin Berisha, do të udhëtonte drejt Tiranës dhe më pas drejt Freskut për të shitur pistoletat.
Mësohet se i riu është mbajtur në vëzhgim që në momentin që ka kaluar në Pikën Kufitare të Morinës dhe ka hyrë në territorin e Shqipërisë me makinën “Volkswagen”. Më herët, Berisha i ka shitur 2 armë zjarri agjentëve të infiltruar në Fresk, për të dokumentuar veprimtarinë e paligjshme të trafikimit të armëve.
Ndalimi i 27-vjeçarit nga Kosova Dugagjin Berisha u bë në dalje të Unazës së Madhe, pranë mbikalimit të Tufinës. Gjatë kontrollit autoritetet sekuestruan 12 armë, pistoleta të tipit 'Glock' së bashku me municion luftarak, që dyshohet se do të shiteshin në zonën e Freskut në kryeqytet./ZËRI