Aktualitet

Tre herë kryeministër! Kush ishte 'arkitekti' i PS, Fatos Nano

Nano u lirua nga burgu pas një amnistie të dhënë nga presidenti Berisha.

F.I
Tre herë kryeministër! Kush ishte 'arkitekti' i PS, Fatos
Fatos Nano

TIRANË-Sot u nda nga jeta në moshën 73-vjeçare themeluesi dhe lideri historik i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Fatos Nano. Ai do të kujtohet si një figurë që la ndikim të fortë në jetën publike dhe në kulturën politike të vendit.

Fatos Nano ishte kryeministër i Shqipërisë tre herë. Ndërsa për 13 vjet, ishte kryetar i Partisë Socialiste. Nano e mbajti detyrën e kryeministrit nga 29 shtator 2002-1 shtator 2005, 25 korrik 1997-27 shtator 1998, 22 shkurt 1991-4 qershor 1991. Ndërsa si kryetar i Partisë Socialiste ai e mbajti këtë detyrë nga 12 qershori 1991 deri më 3 korrik 2005.

Kush ishte Fatos Nano

Fatos Nano filloi karrierën e tij politike në vitin 1991 pasi u zgjodh Kryeministër i Qeverisë së Tranzicionit me qëllim që të organizojë zgjedhjet e para demokratike në Shqipëri, në po atë vit dhe të përgatisë vendin për tranzicionin drejt një ekonomie tregu dhe sistemi demokratik.

Zgjedhjet në 31 mars 1991 u fituan nga Partia Socialiste e Shqipërisë dhe ai u caktua përsëri Kryeministër. Pas dy muajsh, ai u detyrua të japë dorëheqje. Atë vit ai u zgjodh kryetar i Partisë Socialiste e cila ishte pasardhëse e Partisë së Punës së Shqipërisë.

Në mars 1992, Partia Demokratike fitoi zgjedhjet dhe një vit më pas Fatos Nano u burgos pasi u akuzua për korrupsion dhe abuzim detyre nga gjykata. Burgosja e tij u bë problemi kryesor i Shqipërisë sepse shumë socialistë besonin se kjo burgosje ishte për shkak të opozicionit të Nanos ndaj qeverisë së Berishës.

Gjatë vitit 1994, skemat piramidale po bëheshin të njohura në Shqipëri dhe rënia e tyre në vitin 1997 shkaktoi një revoltë të armatosur të nxitur nga opozita kundër qeverisë me kërkesën për kthimin e parave të humbura në firmat piramidale. Kjo revoltë çoi në shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme nga presidenti Berisha. Nano u lirua nga burgu pas një amnistie të dhënë nga presidenti Berisha. Zgjedhjet u fituan nga Partia Socialiste. Presidenti Berisha dha dorëheqjen dhe kuvendi i ri zgjodhi president Rexhep Mejdanin.

Presidenti Mejdani emëroi kryeministër Fatos Nanon. Ndërkohë, në shtator të vitit 1998 dha dorëheqje pas trazirave që u shkaktuan pas vrasjes së Azem Hajdarit. Fatos Nano u gjykua i pafajshëm ndaj akuzave për shpërdorim detyre dhe korrupsion në vitin 1999.  

Më 1 shtator 2005, Nano dha dorëheqjen si kryetar i Partisë Socialistë. Nano kërkoi të zgjidhej si president më 8 korrik 2007, pas mbarimit të mandatit të presidentit Moisiu. Shumica e deputetëve të opozitës, të drejtuar nga Partia Socialiste, nuk e përkrahën kandidaturën e tij dhe bojkotuan zgjedhjet. 

Si deputet i Parlamentit Shqiptar, Nano ka shërbyer zonën e Kuçovës, Tepelenës dhe Sarandës, deri në vitin 2009, kur u shkëput nga politika.

Titujt

Në vitin 1983, me vendimin nr. 81, datë 23 shtator 1983, të Universitetit të Tiranës, mori titullin “Doktor i Shkencave” në fushën e ekonomisë, ndërsa në vitin 2000, titullin “Profesor Doktor” në fushën e ekonomisë. Nga Universiteti Ndërkombëtar i Milanos (Itali), në vitin 2000, u dekorua me titullin “Doktor Honoris Causa” në fushën e Ekonomisë dhe Teknikës së Komunikimit, dhe po në këtë vit, mori titullin e nderit “Doktor Honoris Causa” në fushën e shkencave ekonomike, nga Universiteti i Barit (Itali).

Poll

MOS HUMB