GREQI- Rezultatet e ekzaminimit mjeko-ligjor të trupave të tre shqiptarëve që humbën jetën të hënën pasdite, kur një kamion përplasi dy makina në autostradën Egnatia, janë tronditëse. Sipas protothema.gr, autopsia e kryer nga patologu mjeko-ligjor, Nikolaos Kifnidis, zbuloi se tre viktimat ishin gjallë në kohën kur shpërtheu zjarri, por kishin humbur ndjenjat për shkak të lëndimeve të rënda nga përplasja e dhunshme.
Trupat kishin lëndime të rënda në kokë, gjoks dhe bark, brinjë të thyera, si dhe organe të brendshme të këputura, ndërsa shoferi u gjet gjithashtu me një bazë të kafkës të thyer.
Nga informacionet e deritanishme, duket se kamioni është përplasur në rezervuarin e karburantit të makinës, duke rezultuar në një zjarr të menjëhershëm. Kështu, tre personat që udhëtonin nuk vdiqën nga plagët e goditjes, por nga zjarri që pasoi, ndërsa konsiderohet e sigurt se në atë moment ata ishin në gjendje të fikëti dhe pa ndjenja.
Sipas një dëshmitari konfirmohet se 3 shqiptarët ishin gjallë kur shpërtheu zjarri dhe kërkonin ndihmë. “Mund t’i dëgjonim të tre personat duke na lutur t’i nxirrnim jashtë. ‘Na nxirrni jashtë, na nxirrni jashtë’. Ata bërtisnin ‘ndihmë, na nxirrni jashtë, na shpëtoni’. Po digjeshin të gjallë. I pamë me sytë tanë dhe të tre ishin karbonizuar. Nuk mundëm t’i nxirrnim jashtë, ishin bllokuar”, tha dëshmtari.
Duke shpjeguar se çfarë ndodhi, ai tha gjithashtu se “Brenda një sekonde të shkurtër, makina mori flakë. Filloi të bënte shumë shpërthime. Zjarri vinte nga kamioni. Ishte i shpejtë.”
Viktimat e aksidentit tragjik me makinë janë Viktor Bushi 59-vjeçar, gruaja e tij 57-vjeçare, Marianka, dhe një miku i tyre Klarenc Kacaj, 61-vjeç i cili ishte ulur në sediljen e pasagjerit. Mardalena Kaçaj është e vetmja e mbijetuar pasi arriti të dilte nga makina që po digjej.
Media bën me dije se e plagosura do të dalë sot nga spitali, ndërsa shoferi bullgar do të mbahet në paraburgim deri në daljen e rezultateve të analizave toksikologjike, të cilat do të tregojnë nëse ai kishte konsumuar alkool. Përveç kësaj, është caktuar një ekspert mjeko-ligjor në lidhje me shpejtësinë e kamionit në kohën e aksidentit.
Shoferi është akuzuar për vrasje nga pakujdesia, lëndim trupor dhe drejtim të rrezikshëm të mjetit, që është një kundërvajtje, ndërsa rezultatet e analizave dhe raporti i ekspertit do të përcaktojnë nëse do të shndërrohet në krim./ZËRI
