
LEZHË- Gjin Gjoni ka një tjetër çështje të hapur në Prokurorinë e Lezhës. Kandidati për deputet në listën e hapur të Partisë Demokratike për qarkun e Lezhës është kallëzuar sërish, kësaj here nga një qytetar. Sipas një 66-vjeçari të identifikuar me inicialet V.K., kandidati i ka shkuar në banesë për t'i kërkuar votën. Ndaj edhe e ka kallëzuar.
Çështja është referuar tashmë nga Policia në Prokurori.
“Në ngarkim të shtetasit Gj. Gj. 55 vjeç, banues në Lezhë ( kandidat për deputet i subjektit politik “Partia Demokratike”, pasi ndaj tij është bërë kallëzim nga shtetasi V. K., 66 vjeç, banues në Lezhë, se i ka shkuar te banesa duke i kërkuar votën,”-njofton Policia.
Lidhur me çështjen, në një intervistë për Syri TV, Gjin Gjoni pretendon se akuzat ndaj tij janë të pabaza. Sipas tij, kjo është një tentativë për të ushtruar presion ndaj tij dhe qytetarëve në prag të zgjedhjeve.
"Dua të flas është një ngjarje e turpshme, e cila është bërë publike nga Drejtoria e Policisë Lezhë dhe është i dyti rast që Drejtoria e Qarkut Lezhë është vënë në shërbim të pushtetit, dhe padyshim sot kanë nxjerrë një deklaratë se specialistët e hetimit të krimeve të Komisariatit të Policisë kanë kryer hetime proceduriale, duke referuar materialet hetimore të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, në ngarkim të shtetasit Gjin Gjoni, pasi ndaj tij është bërë kallëzim se shtetasi Vlash Kuka, 66 vjeç, i ka shkuar në banesë për t’i kërkuar votën. Po të lexosh këtë deklaratë, nuk është aspak profesionale e ligjore, por Drejtoria e Policisë dhe specialistët e hetimit të krimeve pranë Drejtorisë së Policisë Qarku Lezhë janë jo profesionale dhe janë me ngarkesa politike për një arsye shumë të thjeshtë: si mund të bëhet kallëzim dhe të jepet deklaratë për shtyp se ka shkuar në banesë një person për t’i kërkuar votën?
Në asnjë vend të botës, por edhe në demokraci 34 vjeçare, këtë demokraci të broshte nuk është shkelje të shkosh të kërkosh votën qytetarit në banesë, dhe policia me dashje e ka përcjellë këtë për t’i dhënë material medias që janë të lidhura me pushtetin e sotëm për të ushtruar presion ndaj qytetarëve, dhe që ndaj Gjin Gjonit ka nisur çështje penale penal, e kjo nuk është aspak e vërtetë,"-tha në fjalën e tij Gjoni.
Por sërish çështja është dërguar për hetimet të mëtejshme në Prokurorinë e Lezhës./ZËRI