
FIER- I moshuari Namik Rustemi, i cili u dhunua barbarisht në dyqanin e tij nga 47-vjeçari Ilir Nukaj ka ndërruar jetë. 80-vjeçari ndodhej prej 5 ditësh në Spitalin e Fierit në intubim, por nuk mundi t’i mbijetojë plagëve të marra. Nukaj, shkoi në dyqanin e 80-vjeçarit, ku ai ndodhej së bashku me bashkëshorten e tij 77-vjeçare dhe kërkoi alkool, por çifti i moshuar nuk i dha dhe ai dhunoi të moshuarit.
47-vjeçari u arrestua menjëherë pas krimit dhe ndodhet në paraburgim. Nukaj, goditi me grushta dhe shkelma 80-vjeçarin në kokë dhe në trup, më pas filloi të godasë dhe 77-vjeçaren, por ishte fqinja ajo që dëgjoi të bërtiturat e të moshuarës dhe shkoi në vendngjarje, më pas thirri Policinë dhe ambulancën.
Por emri i Ilir Nukajt nuk është i panjohur për Policinë e Shtetit, pasi 47-vjeçari ka qenë i akuzuar dhe i dënuar 12 vite më parë për tentativën e një vrasjeje me paramendim. Në vitin 2012, ai kishte shkuar për të vjedhur në lokalin internet-kafe të Helio Çelës, e cila ndodhej ngjitur me banesën e tij. Nukaj ka thyer derën e dyqanit, por pronari Helio Çela ka dëgjuar zhurmë dhe ka dalë në oborrin e banesës së tij së bashku me të atin, Ferrik Çela. Në këtë moment, Nukaj ka tentuar t'i godasë me thikë, por babë e bir e neutralizuan. Por nuk u mbyll me kaq. Disa ditë pas kësaj ngjarjeje, Nukaj ka shkuar sërish në qendrën e internetit, kësaj herë për të luajtur, e po ashtu sërish është përplasur me pronarin, të cilin e plagosi me thikë. Gjithashtu, ai ka qenë edhe subjekt i OLF-së. Disa vite më parë, Nukajt, i njohur edhe me emrin e tij të dytë, Ledian, i është kërkuar vetëdeklarimi i burimeve të pasurisë. /ZËRI