TIRANË- Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka bërë me dije se më datë 12 mars, ishte vendosur një shënjestër të një sulmi kibernetik. Hakerat kanë tentuar që të futen në disa adresa të prokurorëve të posaçëm, por edhe në atë të kreut të institucionit, Altin Dumanit. Por për shkak të masave të sigurisë, nuk ia kanë dalë që të futen në sistemin e brendshëm të SPAK-ut dhe as në adresën e Dumanit. Megjithatë, zbulohet se nga verifikimet është ndërhyrë vetëm në adresat e e-maile-ve të disa prokurorëve. Por në njoftimin e bërë nga SPAK, nuk e kanë zbuluar se për cilët hetues bëhet fjalë.
"Personat përgjegjës kanë arritur të marrin disa informacione, pa mundur të sigurojnë akses në dosje hetimore. Po ashtu, ata kanë tentuar të ndërhyjnë edhe në email-in e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, Z. Altin Dumani, por pa sukses,"-theksohet në njoftimin e bërë nga SPAK.
Po ashtu, SPAK ka bërë me dije se që të nesërmen kanë arrestuar personin përgjegjës për sulmin kibernetik, i cili informacionin e ka shpërndarë tek persona të tretë. Por nuk e kanë bërë me dije as identitetin e hakerit dhe as të personit tjetër që është vendosur në pranga. Gjithashtu janë marrë në pyetje edhe individë të tjerë që mund të kenë pasur lidhje me personat e arrestuar.
"Paralelisht me procedimin penal, Prokuroria e Posaçme nisi hetimin e brendshëm administrativ, i cili konfirmoi se sistemi i përgjithshëm i IT-së nuk është cënuar. Njëkohësisht, janë marrë masa shtesë për forcimin e protokolleve mbrojtëse të sistemit të përgjithshëm të IT-së të institucionit. Deri në këtë fazë të hetimit nuk ka asnjë të dhënë që personat e arrestuar të kenë bashkëpunuar me personel të brendshëm të SPAK. SPAK siguron publikun dhe të gjitha palët e interesuara se janë marrë të gjitha masat për të mbrojtur dosjet, të dhënat e ndjeshme dhe për të ruajtur integritetin e infrastrukturës së institucionit. Hetimet lidhur me këtë çështje vijojnë në kuadër të dyshimeve për ekzistencën e një grupi të strukturuar kriminal,"-sqaron SPAK në njoftimin zyrtar.
NJOFTIM PËR SHTYP:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar mori informacion në datën 12 mars 2025 se ishte vënë në shënjestër të një ndërhyrje të paligjshme të adresave të email-eve të prokurorëve të posaçëm. Falë masave të sigurisë, nuk u arrit të ndërhyhej në sistemin e brendshëm të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), i cili mbetet i pacënuar.
Nga verifikimet, ka rezultuar se është ndërhyrë vetëm në adresat e e-maile-ve të disa prokurorëve, por jo në sistemin e përgjithshëm të IT-së të institucionit. Personat përgjegjës kanë arritur të marrin disa informacione, pa mundur të sigurojnë akses në dosje hetimore. Po ashtu, ata kanë tentuar të ndërhyjnë edhe në email-in e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, Z. Altin Dumani, por pa sukses.
Falë një hetimi intensiv të drejtuar nga Prokuroria e Posaçme, me përfshirjen e BKH-së si dhe Sektorit të Ekspertizës të kësaj Prokurorie u bë e mundur që të zbulohej kjo ndërhyrje e paligjshme, duke identifikuar dhe arrestuar brenda 24 orëve dy shtetas – individin që ka realizuar ndërhyrjen në e-mail-e dhe atë që ka shpërndarë informacionin tek persona të tretë. Gjithashtu u bë e mundur sekuestrimi i paisjeve të përdorura për të realizuar ndërhyrjen si edhe skedarët (file) e shkarkuar.
Prokurori i çështjes, me qëllim ruajtjen e sekretit hetimor, ka urdhëruar personat të cilët kanë rënë në posedim të këtyre informacioneve të mos i publikojnë ato. Ndërkohë, janë marrë në pyetje edhe individë të tjerë që mund të kenë pasur lidhje me personat e arrestuar dhe kanë poseduar informacionet. Paralelisht me procedimin penal, Prokuroria e Posaçme nisi hetimin e brendshëm administrativ, i cili konfirmoi se sistemi i përgjithshëm i IT-së nuk është cënuar. Njëkohësisht, janë marrë masa shtesë për forcimin e protokolleve mbrojtëse të sistemit të përgjithshëm të IT-së të institucionit.
Deri në këtë fazë të hetimit nuk ka asnjë të dhënë që personat e arrestuar të kenë bashkëpunuar me personel të brendshëm të SPAK. SPAK siguron publikun dhe të gjitha palët e interesuara se janë marrë të gjitha masat për të mbrojtur dosjet, të dhënat e ndjeshme dhe për të ruajtur integritetin e infrastrukturës së institucionit. Hetimet lidhur me këtë çështje vijojnë në kuadër të dyshimeve për ekzistencën e një grupi të strukturuar kriminal.
Reagimi i SPAK erdhi pasi në media u publikua se 2 persona kanë marrë nga SPAK materiale shumë sensitive, ku përfshihen njerëz të rëndësishëm të politikës, kryesisht ish-anëtarë të qeverisë, por edhe emra të biznesit. Materialet i janë shpërndarë disa gazetarëve. Informacionet ishin pjesë e dosjeve hetimore që as personat vetë që janë nën hetim nuk janë në dijeni. Sipas gazetarit Elvi Fundit, dy të arrestuarit, njëri punonjës i “Burgjeve” dhe tjetri i IMT-së, kanë lidhje me një ish-zyrtar të lartë të burgjeve./ZËRI
