
FIER- Gjyqtari Vladimir Cjapi dhe familja e tij janë marrë në mbrojtje, pas kallëzimit të bërë nga magjistrati me pretendimin se ishte kërcënuar nga Arben Isufi, i njohur si “i forti i Fierit”. Ngjarja ka ndodhur më 12 shkurt, por kallëzimi në Policinë e Fierit është bërë 5 ditë më vonë. Pas marrjes së dënonimit, Policia e Fierit dhe forcat RENEA shkuan sot në banesën e Isufajt për të kapur këtë të fundit, por pa "fat".
Ndërkohë, gjyqtari dhe familja e tij janë marrë në mbrojtje deri në një moment të dytë.
DEKLARATË E DATËS 20 SHKURT 2025 E GJYKATËS SË SHKALLËS SË PARË E JURIDIKSIONIT TË PËRGJITHSHËM FIER
Duke marrë shkas nga informacioni paraprak i Policisë së Shtetit në ditën e sotme lidhur me sigurinë e jetës së magjistratit z. Vladimir Cjapi, me funksion gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit Fier, përcjellim me shqetësim të thellë këto akte që cënojnë jetën dhe sigurinë e gjyqtarit, familjes së tij, trupës dhe përbëjnë kërcnim serioz për gjithë sistemin e drejtësisë dhe shoqërinë shqiptare. Me kërkesë të zëvendëskryetarit të Gjykatës së Shkallës Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, Noel Veizi, Këshilli për Mbrojtjen e Magjistratëve ka miratuar kërkesën për mbrojtjen e posaçme të gjyqtarit dhe familjarëve të tij. Shprehim bindjen se i gjithë opinioni publik ndodhet sot përkrah gjyqtarit dhe familjes së tij. Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit Fier dënon aktin kriminal dhe i kërkon orgatit të hetimit zbardhjen e ngjarjes dhe të nxjerrjen para përgjegjësisë ligjore personat e përfshirë. Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit Fier i shpreh mbështetjen e gjithë gjyqtarëve për të garantuar sigurinë e tyre në mënyrë që të ushtrojnë detyrën pa frikën e kërcënimeve pasi respektimi i funksionit dhe dinjitetit të tyre është parakusht për një proces të rregullt ligjor për një sistem drejtësie efektiv dhe efikas por edhe për funksionimin normal të shettit të së drejtës.
Sot gjatë kontrollove, vetë Isufajt nuk ka qenë në banesë, por në kuadër të kontrolleve, Policia ka sekuestruar një armë zjarri pistoletë, një palë targa të huaja, jelek multifunksional si i Policisë, dy pajisje DVR, gjashtë celularë dhe dokumenta të ndryshëm. Isufaj është shpallur në kërkim për dy vepra penale: “Kanosja e gjyqtarit” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”./ZËRI