TIRANË- Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi u shpall me pafajshme nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pasi u padit për shpifje nga biznesmenia Vilma Nushi. Në seancën e sotme, avokatët e biznesmenes pretenduan para togave të zeza se kur Vokshi ishte në krye të Komisionit Hetimor për koncensionet në Shëndetësi, nuk e ndante faktin nga opinionet, duke shpifur për figurën e klientes së tyre. Ndërkohë që avokatët e Vokshit janë shprehur se pretendimet e klientes së tyre kanë qenë krejtësisht politike në ushtrim të detyrës së saj si deputete në interes publik.
Avokatët e Nushit: E akuzuara të deklarohet fajtore për shpifje, e akuzuara ka qenë kryetare e komisionit hetimor, nuk ka zbatuar ligjin konkret, ju dorëzojmë dhe praktiken e GJDNJ që duhet ndarë opinioni si deputet dhe fakti, e akuzuara ka fyer dhe shpifur, ka konsumuar elementet, provuam që në komunikimet që kemi patur me komisionin kemi dorëzuar prova dhe dokumentacione por nuk janë marrë parasysh, të gjitha ato që janë thënë nga e akuzuara 100-120 milionë euro apo 5-6 milionë euro TVSH rezultuan të pavërteta, apo çështjet off shore dhe lidhjet e Vilma Nushit me Edi Ramën e akuzuara nuk mundi të sjellë asnjë provë në këtë proces, pra mbetet një shpifje, lidhur dhe me laboratorët deklarimet e të akuzuarës dolën që janë të pavërteta.
Avokati i Albana Vokshit: Nga ecuria e seancave dhe këtij procesi pretendimet e viktimës akuzuese nuk qëndrojnë. Deklaratat e zonjës Vokshi janë politike në ushtrim të detyrës së saj si deputete në interes publik. Zonja Vokshi është bazuar edhe tek të dhënat e hapura, raportimet në media, kontrata koncesionare, raportet e KLSH etj. Gjykata duhet të vendosë rrëzimin e padisë.
Ndërkohë një fjalë e ka mbajtur edhe vetë deputetja sqaroi se për koncensionet, ajo ka bërë denoncime publike, denoncime madje edhe në SPAK duke dorëzuar dokumenta.
"Kam folur për dy shërbime si check up-i dhe sterilizimi. Edhe pse kishim pengesa kemi vijuar me përpjekjet për interesin publik. Kishim për detyrë evidentimin e personave përgjegjës, deputetet e mazhorencës na penguan, nuk miratuam dot disa akte ligjore për ndryshimin e legjislacionit për koncesionet abuzive. Sa i takon check up-it kam sjellë dokumente që vërtetojnë ato që unë kam thënë, apo nga dëshmitë e mjekëve, qendrave shëndetësore, ku rezulton se nuk kanë përfituar qytetarët përkundrazi. Nuk është punë tek disa fjali që janë shkëputur nga konteksti dhe janë sjellë këtu. Check up-i u hartua në mënyrë klienteliste për interes të privatit, këto i kam evidentuar në të gjitha ditët e komisionit hetimor por edhe në punën time të përditshme 10 vjeçare, se kam patur personale por për interesin e publikut. Madje e kam kallëzuar edhe në SPAKku kam dhënë edhe shpjegime duke dëshmuar. I kam vënë në dispozionin SPAK-t dhe dokumente. Qëllimi im është që ata që bëjnë biznes në kurriz të qytetarëve shqiptarë të përgjigjen para ligjit, check up-in e ka denoncuar dhe Partia Demokratike ku unë aderoj,"-tha Vokshi.
Kështu, në fund të seancës, prokurori i SPAK, Elvin Gokaj u shpreh se nuk e provonte dot që Albana Vokshi të kishte konsumuar elementët e veprës penale, duke e shpallur të pafajshme.
Vokshi ka qenë dhe kryetare e Komisionit Hetimor Parlamentar të Shëndetësisë për dosjen e “Sterilizimit” është paditur për shpifje nga biznesmenia Vilma Nushi dhe shoqëria “3P Life Logistic”. Nushi akuzonte Vokshin për “shpifje”, lidhur me deklaratat që ajo ka bërë në Komisionin e ngritur nga Kuvendi i Shqipërisë. Sipas pretendimeve, kompania pretendon se për 10 vite vlera e projektit për "Sterilizimin" është 63 milionë euro në total, dhe jo 130 milionë euro, siç ka pretenduar Vokshi./ZËRI