SHBA-Një ndërtesë katërkatëshe pa emër në zonën rezidenciale Chepevera të Monterrey ka tërhequr vëmendjen për lidhjet e saj të mundshme me kompaninë e sanksionuar nga SHBA, Hysa Forwarders SA de CV, e dyshuar për pastrim parash dhe lidhje me Kartelin e Sinaloas dhe mafian shqiptare.
Mes rezidencave, zyrave, klinikave shëndetësore dhe disa studiove ligjore ndodhet objekti, në regjistrat e të cilit në internet figuron kompania Hysa Forwarders SA de CV, njëra ndër 22 bizneset e goditura nga Departamenti i Thesarit të SHBA-së. Gatë vizitave në terren nuk është vërejtur asnjë aktivitet apo shenja që të tregojë funksionimin e kompanisë, raporton Milenio.
Faqja zyrtare e Hysa Forwarders tashmë është fshirë ose çaktivizuar. Edhe numri i telefonit i regjistruar në internet dhe në Facebook nuk funksionon më.
Më 13 nëntor, Zyra e Kontrollit të Aseteve të Huaja (OFAC) dhe Rrjeti i Hetimit të Krimeve Financiare (FinCEN), në bashkëpunim me qeverinë e Meksikës, njoftuan çmontimin e grupit kriminal Hysa dhe të disa bizneseve të lojërave të fatit në Meksikë, të përfshirë në pastrim parash të lidhur me kartelët dhe me aktivitete kriminale në Meksikë dhe Europë.
Ndër 22 kompanitë e sanksionuara, figuron edhe Hysa Forwarders, së bashku me 11 të tjera të regjistruara në Nuevo León. Sipas të dhënave zyrtare, Hysa Forwarders u themelua më 10 qershor 2021, me numër regjistrimi 35583, fillimisht e deklaruar me aktivitet në tregtimin e veshjeve, këpucëve dhe artikujve prej lëkure në dyqane të specializuara. Pronarë rezultojnë Luftar dhe Arben Hysa.
Ndërtesa në Chepevera mbetet një nga pikat më enigmatike të hetimeve, me dyer të mbyllura dhe pa asnjë shenjë aktive të kompanisë së implikuar.
Biznesmeni Luftar Hysa bashkë me vëllezërit e tij, Arben, Ramiz, Fatos dhe Fabjon Hysa, emrat e të cilëve kanë qarkulluar në mediat meksikane si të lidhur me kartelin e drogës "Sinaloa", janë sanksionuar nga SHBA-ja. Thesari i SHBA-ve vendosi sanksione ndaj anëtarëve të familjes shqiptare Hysa në Meksikë, duke e akuzuar atë se e ka përdorur perandorinë e kazinove dhe restoranteve si mbulesë për pastrimin e parave të kartelit meksikan, Sinaloa. Sipas Thesarit, familja Hysa përfshin anëtarët e familjes, Luftar, Arben Hysa, Ramiz, Fatos dhe Fabjon Hysa. Kjo familje akuzohet se e ka përdorur ndikimin e vet përmes investimeve ose kontrollit mbi biznese të ndryshme me bazë në Meksikë, duke përfshirë lokale bastesh dhe restorante, për pastrimin e parave të përfituara nga trafiku i narkotikëve. Familja Hysa në të kaluarën ka mohuar publikisht çdo lidhje me krimin e organizuar./ZËRI



