Aktualitet

Vdekja e 12-vjeçarit nga Maliqi, 2 padi në Polici, mjekja: E ëma më dhunoi. 44-vjeçarja: Gënjeshtër! Neglizhoi trajtimin

Ata akuzojnë mjekët për neglizhencë dhe mos trajtim siç duhet të 12-vjeçarit

I.F
Vdekja e 12-vjeçarit nga Maliqi, 2 padi në Polici, mjekja: E
Roveta Sadiku

TIRANË- Dy kallëzime janë ngritur gjatë ditës së sotme në lidhje me vdekjen e 12-vjeçarit që ndërroi jetë më 8 janar. Në mesditë, mjekja pediatre me inicialet J.B e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) ngriti padi ndaj nënës së të miturit, Roveta Sadiku, duke pretenduar se e ëma e të ndjerit e kishte dhunuar. Pas kësaj Policia e Tiranës njoftoi se në lidhje me këtë rast ka nisur hetimet.

Por, Sadiku mohoi se ka dhunuar mjeken dhe tha se këto pretendime janë të rreme. Ajo tha se në të vërtetë shkoi drejt saj, por humbi ndjenjat. Më tej, 44-vjeçarja bëri me dije se ka ngritur padi ndaj QSUT dhe spitalit të Korçës. Në kallëzimin penal, nëna e të ndjerit ka thënë se mjekët kanë neglizhuar trajtimin mjekësor të djali të saj, gjë që shkaktoi vdekjen e tij. 

“Jam përballur me mjeken në QSUT, teksa kishim mbesën në spital. Kur e kam parë më janë errur sytë, dhe më është rikthyer e gjitha çfarë kishte ndodhur. I kam thënë se pse ma vrau djalin dhe i jam afruar. Aty me ka rënë të fikët. Ka pasur dëshmitar që nuk e kam dhunuar atë mjeke. Unë këtë çështje ia kam lënë drejtësisë dhe pres që për djalin tim 12-vjeçar, të bëhet drejtësi”, u shpreh ajo.

Ditën e sotme, Policia e Tiranës bëri me dije se ka nisur hetimet për Roveta Sadiku, pasi akuzohet se ka dhunuar mjeken në spitalin e Pediatrisë. 44-vjeçarja është denoncuar në policia nga mjekja pediatre me iniciale J. B., e cila ka akuzuar nënë e të miturit se ka ushtruar dhunë fizike ndaj saj në ambientet e spitalit të Pediatrisë. Sipas kallëzimit të ngritur, Sadiku ka ushtruar dhunë ndaj mjekes me pretendimin se ka neglizhuar mjekimin e djalit të saj 12-vjeçar, i cili ndërroi jetë më 8 Janar në Pediatri.

I mituri nga fshati Pocestë i bashkisë së Maliqit pasi ishte ndjerë keq, ishte dërguar për t'u trajtuar pranë spitalit rajonal të Korçës, por duke qenë se gjendja e tij shëndetësore ishte rënduar, e sollën në Tiranë. Pas pretendimeve të familjarëve, ka pasur edhe një reagim nga QSUT. Sipas tyre, djali ndërroi jetë në Shërbimin e Terapisë Intensive Pediatrike. Pra, jo në pavionin ku pretendojnë familjarët. Ndërsa po sipas tyre, pas ekzaminimeve të kryera, pacienti është diagnostikuar me miokardit akut./ZËRI

Poll

MOS HUMB