TIRANË-Në GJKKO u mbajt sot seanca gjyqësore e themelit për dosjen e kryebashkiakut Erjon Veliajn dhe 29 të tjerëve. Seanca e radhës do të mbahet më 3 prill, ora 09:00, pasi mungoi Artan Simoni, avokati i gardianit të Burgut të Durrësit, Fatjon Baci.
Vetë Veliaj nuk u paraqit në sallën e gjyqit por u përfaqësua nga avokati i tij mbrojtës Plarent Ndreca. Ky i fundit u legjitimua avokat i kryebashkiakut në seancën e 24 marsit.
Veliaj ka bërë deklaratë për mosparaqitje dhe kërkon përfaqësim nga avokati Plarent Ndreca, ndërsa ka dërguar edhe një shkresë në gjykatë ku deklaron se është duke lexuar dosjen që i kanë dërguar ne IEVP Durrës dhe me pas do paraqitej vetë në seancë. Më 11 mars u raportua se Veliajt i janë dërguar me furgon në burgun e Durrësit të gjitha materialet me 72 fashikuj me rreth 28 mijë faqe. I pranishëm nga të pandehurit ishte biznesmeni Elman Abule, ndërsa Ajola Xoxa, dhe ish-deputetja Klotilda Bushka mungojnë.
"Veliaj është i vendosur të nxjerrë të vërtetën para qytetarëve që e kanë votuar për 3 mandate. Në seancë nuk ka qenë i pranishëm se sepse nuk është njohur me të gjithë dosje që është shumë voluminoze, po lexon deri në 200- 300 faqe në ditë. Nxitimi po bëhet që procesi të mos jetë i rregullt.”, tha avokati Ndreca pas seancës.
Gjykata pezulloi sërish afatet e paraburgimit për Veliajn dhe biznesmenin Elman Abule. Avokati Simoni kishte dorëzuar një raport se nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore dhe kishte kërkuar shtyrjen e senacës. Por, GJKKO i caktoi Bacit një avokat kryesisht, Pranvera Doçin dhe urdhëroi shoqërimin e detyruar të tij në seancën e radhës për t’u shprehur vetë për avokatin.
Më 9 shkurt, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi të kalojë për gjykim dosjen në ngarkim të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa, si dhe të pandehurve të tjerë.
Veliaj ndodhet në qeli që prej 10 shkurtit 2025. Ai së bashku me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, akuzohen për korrupsion në 9 raste. Mbi Veliajn rëndon gjithashtu akuza për 'shpërdorim detyre', 'pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale', 'futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim' dhe refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim./ZËRI