TIRANË- Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike ka reaguar pas raportimeve për një sulm nga hakerat “Homeland Justice”, duke i rrëzuar poshtë këto pretendime. Përmes një postimin në ‘FACEBOOK’, AKSK deklaron se materiali që po qarkullon është komunikim zyrtar i AKSK drejt infrastrukturave kritike të informacionit, duke shtuar se nuk është një komunikim i klasifikuar.
Sipas instuticionit, nuk ka ndodhur një sulm nga hakerat e iranianë të 'Homeland Justice' dhe se pretendimet për një sulm janë të pavërteta.
“Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) sqaron opinionin publik se pretendimet e publikuara së fundmi mbi një komprometim të institucionit tonë, janë të pavërteta. Materiali i qarkulluar përbën një komunikim zyrtar të AKSK drejtuar infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit, në kuadër të bashkëpunimit institucional, dhe nuk është komunikim i brendshëm. AKSK vijon të operojë normalisht dhe mbetet e përkushtuar në garantimin e sigurisë kibernetike, si dhe në informimin e saktë dhe transparent të publikut. Për çdo informacion zyrtar, qytetarët dhe mediat ftohen të referohen vetëm në kanalet zyrtare të AKSK”, thuhet në njoftimin.
Gjatë ditës së sotme hakerat iranianë të 'Homeland Justice' kanë pretenduar se kanë kryer një sulm kibernetik ndaj Shqipërisë, këtë herë ndaj Gjykatës së Lartë dhe Prokurorisë së Përgjithshme. Në një mesazh të publikuar online, grupi i hakerave iranianë pretendon se ka depërtuar në rrjetet e sistemit gjyqësor dhe se ka siguruar të dhëna dhe dokumente që, sipas tyre, lidhen me funksionimin e brendshëm të institucioneve të drejtësisë. Por institucionet kanë mohuar çdo sulm të sistemeve zyrtare.
Prokuroria e Përgjithshme bën me dije se, nga verifikimet e deritanishme të kryera nga ekspertët e sigurisë së IT-së, nuk janë konstatuar shenja komprometimi apo ndërhyrjeje në faqen zyrtare. Edhe Gjykata e Lartë ka reaguar duke mohuar çdo sulm ndaj sistemit të saj, duke sqaruar se pretendimet lidhen me një faqe që nuk është nën administrimin e saj të drejtpërdrejtë.
Por, kjo nuk është hera e parë që grupi i hakerave “Homeland Justice”, kryen sulme ndaj instuticioneve shqiptare. Më 25 mars “Homeland Justice” sulmoi sistemet e Postës Shqiptare, vetëm pak ditë pasi edhe Kuvendi i Shqipërisë ra pre e një sulmi kibernetik. Kuvendi i Shqipërisë njoftoi se sulmi pati si synim fshirjen e të dhënave dhe cënimin e sistemeve të brendshme, por rezultoi se infrastruktura kryesore e punës nuk u prek. Sipas Gjykatës së Lartë, pre e sulmit kibernetik ka rënë faqja “gjykata.gov.al”, e cila është në menaxhim nga Këshilli i Lartë i Gjyqësorit.
Nisur nga kjo ngjarje, në një seancë plenare të jashtëzakonshme Kuvendi miratoi pa prezencën e Partisë Demokratike, me 79 vota pro, 1 abstenim dhe 0 kundër projekt-rezolutë për shpalljen e Iranit sponsor të terrorizmit dhe shtet që përdor mjete terroriste. Rezoluta dënoi sulmet kibernetike të Iranit kundrejt institucioneve të Shqipërisë dhe u bëri thirrje vendeve të tjera demokratike dhe organizatave ndërkombëtare që të shqyrtojnë masa kundër terrorizmit./ZËRI
