TIRANË-Gjyqi ndaj kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj dhe të tjerëve do të mbahet në datën 19 janar. Seanca në GJKKO e cila pritej të mbahej sot është shtyrë, pasi Veliaj pretendon se nuk u shoqërua nga IVEP Durrës drejt gjykatës. Avokatët e kryebashkiakut pretendojnë se furgoni i Drejtorisë së Burgjeve është paraqitur në paraburgimin e Durrësit në orën 08:55 ndërkohë që seanca fillonte në orën 09:00.
Por ndryshe nga sa pretendon Veliaj, Drejtoria e Burgjeve në një reagim zyrtar deklaron se mjetet e policisë kanë qenë në kohë në ambientet e paraburgimit, por Veliaj ka refuzuar të dalë, duke pretenduar se ishin me vonesë. Në reagim shpjegohet se për çdo vonesë apo ndryshim orari, kancelaria e gjykatës njoftohet zyrtarisht.
"Në lidhje me reagimin e bërë në media nga Këshilli Bashkiak i Tiranës, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve sqaron se janë të pavërteta pretendimet lidhur me orarin e transferimit të shtetasit Erion Veliaj nga IEVP Durrës drejt Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Forcat e Policisë së Burgjeve, në varësi të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, kanë njoftuar në kohë shtetasin E.V. për përgatitjen dhe nisjen drejt seancës gjyqësore. Mjetet e Policisë së Burgjeve kanë qenë të pranishme në ambientet e IEVP-së në kohën e parashikuar. Në momentin e njoftimit, shtetasi E.V. ka refuzuar të dalë, duke pretenduar se mjeti i Policisë së Burgjeve ishte vonuar. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve thekson se për çdo vonesë apo ndryshim orari, kancelaria e gjykatës njoftohet zyrtarisht dhe se nga ana jonë nuk ka pasur asnjë pengesë për zhvillimin normal të procesit gjyqësor”, njofton Drejtoria e Burgjeve.
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili ndodhet në masën e sigurisë “arrest në burg” ka kërkuar lirimin nga qelia. Veliaj ka paraqitur kërkesë për revokimin ose zëvendësimin e masës së sigurisë, si dhe ka kërkuar informacion nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion lidhur me ecurinë e hetimeve që po zhvillohen ndaj tij, për veprat penale të korrupsionit dhe pastrimit të parave.
Veliaj ndodhet në qeli që prej 10 shkurtit. Ai së bashku me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, akuzohen për korrupsion në 9 raste. Në njoftimin e SPAK thuhet se çifti kanë marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, nga subjekte tregtarë dhe organizata jofitimprurëse (përmendur më sipër), të cilët nga ana e tyre kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë. Mbi Veliajn rëndon gjithashtu akuza për 'shpërdorim detyre', 'pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale', 'futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim' dhe refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim./ZËRI