EKUADOR-Mijëra mesazhe private në aplikacionin Sky ECC kanë zbuluan operacionet e përditshme të një organizate të madhe trafikimi të kokainës që transferoi ngarkesa të mëdha droge dhe parash përtej Atlantikut me mbështetjen e policisë dhe porteve të Ekuadorit. Media occrp.org raporton se bëhet fjalë për bandën kriminale me në krye Dritan Gjikën, i cili trafikonte drogë midis Ekuadorit dhe Evropës.
OCCRP ka siguruar qindra faqe të regjistrave të bisedave të Gjikës në Sky, të cilat u paraqitën nga prokurorët e Ekuadorit si prova në çështjen penale kundër tij dhe anëtarëve të rrjetit të tij të dyshuar. Mesazhet të cilat janë të shkruara nga maji 2020 deri në mars 2021, tregojnë infiltrimet e grupit në polici dhe portet në Ekuador.
Të paktën 17 persona të akuzuar si anëtarë apo ndihmues të organizatës kriminale janë dënuar në Ekuador, 15 prej të cilëve kanë apeluar vendimin dhe gazetarët mësuan se ata janë ende në pritje të vendimit për apelimin e tyre. Katër të tjerë janë dënuar për pastrimin e parave të ardhura nga tregtia e paligjshme, ku mes viteve 2015–2023 janë transferuar më shumë se 43 milionë dollarë.
Megjithatë, Gjika, njeriu që prokurorët pretendojnë se është kreu i kësaj organizate, dhe tani një nga më të kërkuarit në Ekuador, arriti të largohej nga vendi pa u zbuluar. Më vonë, në maj të vitit 2025, ai u arrestua në Abu Dhabi dhe pret ekstradimin. Në Ekuador, ndaj tij ka një urdhër gjykate për t’u përballur me akuzat sapo të mbërrijë atje.
'Dy ton në muaj — minimumi'
Sipas prokurorëve, rrjeti i kontrabandës e siguronte kokainën kryesisht nga laboratorë në Kolumbinë fqinje, prodhuesi më i madh në botë i bimës së kokas, gjethet e së cilës shtypen dhe pastrohen përmes proceseve kimike për të nxjerrë pluhurin e drogës. Bisedat në Sky Ecc tregojnë se Gjika udhëhoqi negociatat për të siguruar një furnizim të rregullt të lëndës narkotike, duke ndërmjetësuar kontrata për disa tonë në muaj.
“Shok, kushëriri më tha se ke gjëra të mira,”- i shkroi ai një furnitori të dyshuar në janar 2021.
“Jam i interesuar, por ajo që më frikëson pak është se nuk i njoh njerëzit. Të njoh ty dhe dukesh shumë serioz, një djalë me këmbë në tokë,” shtoi ai.
Furnitori i tha Gjikës se po menaxhonte dy “kuzhina”, një term zhargon për laboratorët ku kokaina nxirret nga gjethet e kokas, ndaj ai duhet të kishte besim për të bërë biznes me të.
JF8MQR: Sa saktësisht dëshiron?
GJIKA: 2t [tonë].
GJIKA: Mujor.
GJIKA: Minimumi.
JF8MQR: Më lër të kontrolloj, po flas direkt me kuzhinën.
JF8MQR: Do t’i konfirmoj ditët JF8MQR: Por nuk mendoj më shumë se 20 ditë.
Në një bisedë tjetër, Gjika përshkroi një kontratë për një “minimum” prej “6 T” me një furnitor tjetër të dyshuar në Kolumbi që tha se kishte pesë “kuzhina” në dispozicion.
GJIKA: Në fakt më është dhënë një kontratë për minimum 6 t.
N2IHO8: Mund t’i bëj këto 6 T pa probleme, vetëm më duhet pagesa paraprake.


Ditën tjetër, më 1 shkurt 2021, pesë burra u arrestuan në provincën ekuadoriane Los Ríos me gjysmë ton kokainë të gjetur në kamionin e tyre të ngarkesës, të ndarë në paketa 1-kilogramëshe me logon UNICO.
Pasi mësoi çfarë kishte ndodhur, Gjika i shkroi burrit që kishte ofruar të furnizonte “6 t” për ta informuar për incidentin.
GJIKA: Hej shok, djemtë sapo u kapën
GJIKA: I nxorën vetëm sot! Shpresoj të mos kem probleme
N2IHO8: Ku i gjetën zotëri?
GJIKA: Në qytet
N2IHO8: I kapën me gjërat, çfarë ndodhi?
GJIKA: Shoku nuk di gjë më shumë
Gjika fillon të ngrejë dyshime mbi arsyet e dështimit operacional, duke vënë në dukje se shoferët e dërgesës nuk kishin ndjekur orarin e tij.
GJIKA: Thjesht po të them që shoferët ishin të çuditshëm
GJIKA: Bënë çfarë deshën
GJIKA: Mbërritën në pikë pas një ore e gjysmë
…
GJIKA: Dhe nuk po përgjigjeshin
GJIKA: Sot duhej të mbërrinin në 5, por erdhën në 6:40
GJIKA: Gjithmonë “së shpejti, së shpejti”
Më vonë, të dy konfirmojnë më të keqen. “Malli” ishte sekuestruar.
N2IHO8: Dhe malli gjithashtu?
N2IHO8: A është konfirmuar tashmë?
GJIKA: Po shok
N2IHO8: Çfarë katastrofe
GJIKA: Na shkoi keq, shok
Diskutimi që vijon tregon Gjikën duke u përpjekur të kuptojë çfarë shkoi keq dhe me çfarë pasojash do të përballej.


GJIKA: A fole me taksixhiun?
N2IHO8: Jo zotëri
N2IHO8: Nuk duam që ai të dyshojë
N2IHO8: Do presim të mbërrijë
N2IHO8: Për ta kapur menjëherë
Nuk dihet se çfarë ndodh më pas, pasi biseda përfundon me bashkëbiseduesin e Gjikës që kërkon BC1, një referencë për një pajisje tjetër të enkriptuar rivale të operuar nga kompania Number 1BC, e cila ka tërhequr klientë pas lajmit se Sky dhe firma të ngjashme ishin komprometuar.
N2IHO8: Të lutem më jep BC1-in tënd sepse nuk dua të mbaj kaq shumë telefona
N2IHO8: Kam vetëm një për ty
N2IHO8: Të tjerët kanë kaluar në BC1.
Autoritetet në portet e Antwerp-it, Algeciras-it dhe Hamburgut u thanë gazetarëve të kontaktojnë policinë ose doganat për më shumë detaje mbi përpjekjet për të luftuar trafikun e drogës, ndërsa operatorët e porteve në Mundra, Gioia Tauro, Tanger Med dhe Roterdam nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.
Për t’i realizuar këto veprime, rrjeti kishte krijuar kontakte dhe informatorë brenda porteve të Ekuadorit, nga ku niseshin fillimisht kontejnerët e kontaminuar, sipas prokurorëve, të cilët i përdorin bisedat si provë se trafikantët kishin qasje në “informacione të privilegjuara” nga sistemet kompjuterike të terminaleve në Guayaquil.
Natyra e zakonshme e bisedave të tyre në Sky pasqyron infiltrimin e tyre të pandërprerë në këto porte, me burrat që diskutojnë punën e tyre në mënyrë rutinore dhe të zakonshme.
“Të them të drejtën ne po bëjmë trafik droge, nuk po shesim vezë me shumicë duke kërkuar ulje çmimesh”, shkruan ai në një mesazh të 31 gushtit 2020.

“Nuk ka problem, pavarësisht se në cilin port është, ne do ta nxjerrim, mos u shqetëso,” shkroi Gjika, duke iu referuar katër terminaleve portuale të Guayaquil-it, në një bisedë rreth rrugës detare që planifikonte të përdorte një importues.
“Zotëri, marr përgjegjësinë e plotë [për atë që ndodh] në port!!” shtoi më vonë, megjithatë paralajmëroi se nuk mund të “garantonte” asgjë nëse kishte një “rrjedhje informacioni,” ose nëse “policia më godet” në ditën e punës.
Bisedat tregojnë se ky nivel aksesi mbështetej në “miq” që duket se kishin akses të drejtpërdrejtë në porte.
“Miqtë brenda janë gati të më japin kutinë për të punuar brenda një ore maksimum,” thuhet në një mesazh që Gjika mori në gusht 2020.
Ndër ata që u dënuan në Ekuador ishte një oficer policie që ishte përgjegjës për kontrollin e kontejnerëve në një port. Një oficer tjetër me të njëjtin rol u shpall në arrati në vitin 2024, ndërsa një i tretë u gjet i pafajshëm.
Aksesi i brendshëm i grupit në policinë e Ekuadorit shkoi edhe më thellë. Një oficer policie në pension i quajtur Héctor Pesántez, të cilin prokurorët e quajtën me nofkën “Glock”, u dënua si një nga figurat e larta të grupit. Në regjistrat e bisedave, ai shihet duke i dhënë Gjikës informacion të brendshëm nga policia anti-narkotikë e Ekuadorit.
Nga kompani në kompani
Bisedat e Sky prekin metoda të ndryshme që grupi përdorte për të futur kontrabandën brenda kontejnerëve të transportit. Një nga këto, të cilën autoritet e përshkruajn si “metoda e grepit të verbër”, tregon se kontrabandistët thjesht vendosin drogën pranë ngarkesës legjitime, në vend që ta përziejnë me mallrat e ligjshme ose ta fshehin në një mënyrë më të ndërlikuar.
GJIKA: Nuk janë në kuti apo në paleta, pas derës në një vend të errët
Ka gjithashtu shenja se grupi përdorte metoda më të sofistikuara. Në një tjetër bashkëbisedim, Gjika dhe një bashkëbisedues diskutojnë përpjekjet për të përgatitur një kontejner me një saldator dhe pak bojë. Rezultati, thotë Gjika, është se “skaneri nuk e kap, e konfirmuar absolutisht”.
Nga shkëmbimi i bisedave, duket e mundur që të dy po diskutojnë për fshehjen e kokainës në strukturën e kontejnerit, një metodë që Ministria e Brendshme e Spanjës tha se grupi filloi ta përdorte për të fshehur sasi më të vogla të drogës, pas një dërgese prej 1.1 ton që u kap nga autoritetet holandeze në vitin 2020.
GJIKA: Duhet të jetë Maersk vëlla
UBIFL5: Me frigorifer apo si?
GJIKA: Po, me frigorifer vëlla
GJIKA: Dhe të betohem që skaneri nuk e kap
UBIFL5: Uy vlla
UBIFL5: Një gol i plotë
GJIKA: Po, kështu bëhet kjo punë
UBIFL5: Duhet të jetë Maersk sepse ajo është ajo me hapësirë në kuti?
GJIKA: Vëlla të betohem për jetën time që del çdo javë dhe çdo javë po shënojmë një gol
Disa biseda gjithashtu i referohen drejtpërdrejt përdorimit nga grupi të asaj që ata, dhe policia e Ekuadorit, e quajnë “metoda kompani me kompani”. Kjo është kur trafikantët minimizojnë rrezikun duke kontrolluar drejtpërdrejt kompanitë e eksportit që transportojnë kokainën, dhe duke bashkëpunuar me importues të drejtuar nga bashkëpunëtorët e tyre.
GJIKA: Zotëri, do të shkojmë kompani-me-kompani
N21H08: Po zotëri
N21H08: Ato fotot që të kam dërguar duhet të të tregojnë se cila anije është dhe cila është kompania e transportit
GJIKA: Në këtë mënyrë kemi siguri
GJIKA: Sepse ai ka kontroll të plotë
Sipas të dhënave gjyqësore dhe regjistrit të biznesit të Ekuadorit, Gjika, të dënuarit ose të akuzuarit për pjesëmarrje në rrjetin e trafikut, ose të afërmit e tyre të ngushtë, zotëronin ose menaxhonin më shumë se 30 kompani në vend.
Midis tyre, tre kompani të cilat ose zotëroheshin ose administroheshin nga Gjika dhe bashkëpunëtori i tij i dyshuar Mario Sánchez Rinaldi, u pretendua nga prokurorët se kanë lehtësuar trafikun e drogës. Dy prej tyre punonin kryesisht si eksportues bananesh.
Spanja ishte gjithashtu një nyje logjistike për dërgesat e kokainës së grupit. Në një letër që kërkonte ndihmë nga autoritetet ekuadoriane, gjykata kombëtare e Spanjës pretendoi se Sánchez Rinaldi, i përshkruar si një “biznesmen i rëndësishëm” me bazë në Costa del Sol, drejtonte një grup “të fuqishëm” biznesesh import-eksporti ushqimor që i lejonte atij të “lehtësonte logjistikën” e trafikut të kokainës për palë të treta.
Biznesmeni dyshohet se ishte përgjegjës për sigurimin e hyrjes së drogës në portin spanjoll të Algeciras-it, dhe për “lehtësimin e kompanive importuese në Evropë”, thuhet në një letër që Gjykata Kombëtare e Spanjës i ka dërguar autoriteteve franceze.
Në një bisedë tjetër, të dhjetorit 2020 në Sky, Gjika diskuton një seri transferimesh me pesos kolumbiane, me vlerë të barabartë me 2.3 milion dollarë, për t’u mbledhur në Cali.
GJIKA: Vëlla më jep një tjetër “token” për Cali për të mbyllur 8 miliard
Referencat për këto “token” janë të shpeshta, pasi ato i referohen një vargu numrash, zakonisht numrit serial të një kartëmonedhe dollari ose euroje, që përdoren si një lloj fjalëkalimi i ndarë me arkëtarin për të siguruar që paratë t’u dorëzohen personave të duhur.
Ndërsa ky lloj sistemi i transferimit në “treg të zi” u lejon përdoruesve të shmangin rregullat e bankave, ai ka edhe rreziqet e veta. Në një bisedë të gushtit 2020, Gjika dhe një burrë i njohur si “Inxhinieri” duket se diskutojnë detajet e një operacioni të mbledhjes së parave në Quito që nuk shkoi sipas planit.
Duke iu referuar bisedave në Sky, policia e lidhi këtë operacion me një shtetas kinez që u dënua për bashkëpunim në trafikun e drogës së grupit dhe për pastrimin e parave të tyre.
J1L56A: Kinezi është me mungesë
J1L56A: Unë mora vetëm 360
GJIKA: Ok vëlla sa 400?
J1L56A: Kinezi thotë pjesa tjetër të martën
J1L56A: Jo vetëm 360
GJIKA: Haha ok.
Më pas “Inxhinieri” pyet nëse mund të marrë disa nga paratë për të paguar anëtarët e ekipit të tij, dhe Gjika duket se pranon që ai mund të mbajë “100”, që sipas një raporti policor është shkurtim për 100,000 dollarë, për vete dhe ekipin e tij.
Ata dakortësohen për t’u takuar të nesërmen për një bisedë biznesi, në mënyrë që Gjika t’i tregojë “ku dhe si janë investuar paratë”.
Por kur pjesa e parave të Gjikës arrin të nesërmen, është “10” më pak se sa priste.
GJIKA: Sa more dje 360 apo 350
GJIKA: Sepse këtu mora 250
J1L56A: Vëlla 360
J1L56A: Unë mora 100
J1L56A: Duhet të kesh 260
J1L56A: Mirëmëngjes vëlla
GJIKA: Është këtu por 250
Që në shtator 2020, Gjika duket se kishte marrë vesh se pajisjet Sky që po përdornin nuk ishin më të sigurta.
“Po i ndryshojmë të gjitha, sepse shumë njerëz thonë se Sky nuk është më i besueshëm,” i shkroi ai një bashkëpunëtori, duke e nxitur të blinte një nga telefonat BC1.
Përdorimi i Sky-t nga ana e tyre do të çonte përfundimisht në zbërthimin e rrjetit ekuadorian, megjithatë mbetet e paqartë nëse njeriu që prokurorët e përshkruajnë si udhëheqësin e tij do të përballet me drejtësinë. Pavarësisht se është arrestuar gati një vit më parë, Emiratet e Bashkuara Arabe ende nuk e kanë ekstraduar atë.


