
TIRANË- Fitim Dumani, vëllai i Nuredin Dumanit, bashkëpunëtorit të drejtësisë që ka ndihmuar në zbardhjen e disa vrasjeve të bujshme në vendin tonë, ka folur për herë të parë lidhur me këto ngjarje kriminale. Fitimi është ndaluar edhe tek konflikti i të vëllait me të shumëkërkuarin Talo Çela, për të cilin nuk ka asnjë informacion.
Në një intervistë që ka dhënë për gazetarin Flamur Vezaj në podcastin ‘MaShqip’, Fitim Dumani ka thënë se konflikti mes Çelës dhe vëllait të tij Nuredin Dumani nisi për një shumë parash prej 10 mijë euro.
Sipas tij Talo Çela është vrarë nga vëllezërit Hajdar e Franc Çopja në restorantin e tyre në Elbasan. Fitim Dumani thotë se Çopjat e vranë Çelën që ai mos të tregonte gjërat që dinte për ta.
“Janë prish për 10 mijë euro që Altin Ndoci i kishte Dashnorit. Altini ishte ushtar i Talos. Dora e parë që njihej me Çopjat. Talo Çelën e kanë vrarë duke ngrënë bukë. Në restorant në Elbasan. U vra nga vëllezërit Çopja. Vetë restoranti ishte i vëllezërve. E vranë që mos të fliste. E vranë që të humbnin gjurmët”, është shprehur ndër të tjera, Fitim Dumani.
Për të shumkërkuarin, Talo Çela nuk ka asnjë informacion. Ai rezulton i zhdukur prej vitit 2023 kur avokati i tij, Luan Kaloçi, para gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar shprehej se nuk ka asnjë kontakt me klientin e tij dhe se prokurën për përfaqësim e kishte firmosur vëllai i tij para se të vritej. Në zbardhja e komunikimeve në Sky Ecc, të Prokurorisë së Posaçme, Talo Çela është shprehur se nëse do i dilnin prova për grabitjen e Rinasit, ai do të shkonte për të jetuar në Brazil ku do të merrte një identitet të ri./ZËRI



