TIRANË– Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka deklaruar se kanë arritur të aksesojnë mesazhet në platformën e enkriptuar “Matrix”, e konsideruar nga autoritetet si një mjet komunikimi i përdorur për porositjen e vrasjeve me pagesë dhe aktivitete të tjera kriminale.
Sot në përmbyllje të hetimit për dosjen Çyrbja, SPAK njofton se ka aksesuar mesazhe nga Matrix dhe Sky Ecc që kanë përfshirë emra të njohur si: 1. Jurgis Çyrbja – ish-deputet i Kuvendit të Shqipërisë për periudhën 2017–2021 dhe pjesë e legjislaturës 2021–2025 deri në momentin e dorëheqjes më 9 tetor 2024, 2. Ahmet Masha dhe 3. Altin Hajri.
SPAK konfirmon se ka përfunduar hetimet për këtë grup dhe ka mundur të hapë komunikimet në “Matrix”, e cila së bashku me platforma si SkyECC ka qenë nën vëzhgim për rolin e saj në organizimin e aktiviteteve kriminale në rang ndërkombëtar.
"Nga analiza e komunikimeve të platformave të enkriptuara ‘SkyECC’ dhe ‘Matrix’ ka rezultuar se i pandehuri, Jurgis Çyrbja, gjatë periudhës objekt hetimi ka qenë i zgjedhur deputet i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë (në legjislaturën 2017–2021), por është zgjedhur deputet edhe në legjislaturën 2021–2025, deri në momentin e depozitimit të dorëheqjes (datë 9 tetor 2024),” – thuhet në njoftimin e SPAK.
Rrjeti Matrix u godit në dhjetor të vitit të shkuar. Nga biseda që ZËRI pati me zyrën e shtypit të Europol përmes telefonit u informua se nga bisedat, gjuha shqipe është ndër më të përdorurat. Pak muaj më parë, i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani në seancë gjyqësore foli për herë të parë për zbërthimin e 'MATRIX', një tjetër aplikacion i koduar i rrjeteve kriminale.
Dumani shprehet se në aplikacion i është dërguar një foto e një dosje hetimore, ku zbulohet lidhja e Xhuliano Hoxhës me grupin Çapja. Por besohet se njëjtë si Dumani, aplikacioni është përdorur edhe nga shumë persona të tjerë, siç është rasti i ish-deputetit dhe të lartpërmendurve. Tashmë 3 të parët do të përballen në Gjykatë ku pjesë e provave janë bisedat dhe komunikimet edhe në Matrix, pas zbërthimit të Sky Ecc. Se kush janë përdoruesit e tjerë të Matrix në Shqipëri, mbetet për tu parë./ZËRI