TIRANË- Prokurorja e Tiranës, Eranda Laze, është shkarkuar nga detyra. Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA, shpalli vendimin këtë të martë,më 29 korrik. Vendimi u morë nga trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Ina Rama kryesuese, Sokol Çomo relator, Albana Shtylla, Mimoza Tasi, Natasha Mulaj anëtare.
Sipas Kolegjit, është i drejtë pretendimi i institucionit të Komisionerëve Publikë dhe drejtuesit të SPAK se prokurorja Eranda Laze dhe bashkëshorti i saj janë në pamundësi për të vërtetuar burimet financiare të ligjshme për pagesën e këstit të parë të një apartamenti në vlerën 40 mijë euro dhe për këstin e fundit.
Në përfundim ata vendosën unanimisht të ndryshojnë vendimin e mëparshëm të KPK-së, duke sanksionuar shkarkimin e menjëhershëm nga detyra të prokurores Laze.
“Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja ‘b’ të ligjit nr. 84/2016, ‘Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë’, në mënyrë unanime, vendosi:
Ndryshimin e vendimit nr. 811, datë 08.11.2024 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, znj. Eranda Laze.”– thuhet në vendimin e KPA-së.
Laze u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK më 8 nëntor të vitit të kaluar. Gjatë hetimit administrativ në KPK, ajo e kundërshtoi bilancin negativ në masën 10 milionë lekë, si dhe gjetjet për udhëtime me persona të përfshirë në krimin e organizuar, duke kërkuar konfirmimin. Shumica e trupës së KPK i gjeti bindëse shpjegimet dhe provat e dorëzuara nga subjekti, duke e reduktuar pamundësinë në rreth 1.5 milionë lekë, që u konsiderua në përfundim jo penalizues.
Trupi gjykues i KPA i përbërë nga Mimoza Tasi kryesuese, Albana Shtylla relatore, Ina Rama, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo anëtarë, vensoi po ashtu edhe shkarkimin nga detyra të prokurorit të Fierit Genci Mane. Kolegji i Posaçëm ka arritur në përfundimin se Mane nuk ka deklaruar plotësisht pasurinë e tij, duke mos arritur besim të mjaftueshëm në këtë kriter kryesor.
Genci Maze nuk ka mundur të justifikojë një shumë parash me vlerë 1.7 milionë lekë e pretenduar prej tij se buron heqja dorë e tij nga një pjesë takuese në një shtëpi në Berat. Gjithashtu bëhet fjalë dhe për një apartament të blerë në qytetin e Fierit ku rezulton se është përfituar me një çmim nën koston e tregut.
"Trupi gjykues i KPA i përbërë nga Mimoza Tasi kryesuese, Albana Shtylla relatore, Ina Rama, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo anëtarë, në mënyrë unanime vendosi ndryshimin e vendimi të vitit 2022 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Genci Mane.
Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “b” e ligjit nr. 84/2016, “Për “rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi:
Ndryshimin e vendimit nr. 598, datë 13.12.2022 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Genci Mane.
Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm”, thuhet në vendimin e KPA./ZËRI