
TIRANË- Disa ditë më parë një lajm se Mark Marku kishte marrë një post qeveritar nga kryeministri i vendit, Edi Rama qarkulloi në media, por më pas ky lajm u rrëzua nga vetë Rama duke e cilësuar atë si një fake news. Ditën e sotme gjatë një konference Mark Marku u ‘ballafaqua’ me autoren e këtij lajmi, gazetaren Esiona Konomi.
Teksa të dy ishin pjesë e një paneli, gjatë fjalës së saj gazetarja i kërkoi ndjesë Markut, por duke shtuar se pas publikimit të lajmit ai e kishte kërcënuar duke i thënë se do e padiste dhe se do i shkatërronte reputacionin si gazetare.
Ndër të tjera ajo tha: “Dua ti kërkojë ndjesë Markut për një lajm që kam publikuar disa ditë më parë, shpresoj që Marku ta pranojë faljen pas telefonatës që më bëri ku me tha se do të më padis dhe se do të më shkatërrojë reputacionin si gazetare”.
Duket se kjo fjali nuk u prit mirë nga Marku, i cili replikoi menjëherë me të dhe tha se në konferencë nuk ishin për këtë temë ama nuk nguroi të tregonte se ‘detyra e re’ nuk i është ngarkuar atij por departamentit të gazetarisë në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë.
Edhe pas ‘ndjesës’ që gazetarja kërkoi ndaj tij, Marku nuk dha një përgjigje të saktë nësë e pranoi apo jo.
Pjesë nga replika e Mark Markut:
Mark Marku: Ajo cfarë u prezantua sot këtu nuk ka asnjë lidhje me lajmin që është publikuar përpara disa ditësh në media sipas së cilit unë isha caktuar në një post të rëndësishëm qeveritar. Pra janë krejtësisht dy çështje të ndryshme, këtu bëhet fjalë për një iniciativë të mbështetutr nga BE-ja dhe Këshilli i Europës, thjesht për të sqaruar këtë që mos të ketë keqkuptime të tjera në media.
Esiona Konomi: E kuptoj
Mark Marku: Pra është një iniciativë e iniciuar dhe mbështetutr nga BE-ja dhe Këshilli i Europës për të iniciuar një dialog të strukturuar për ligjin e medias. Nuk është një post zyrtar ky që kam unë të jemi të qartë.
Unë jam dekan i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, është puna ime kryesore. Është një angazhim dhe nuk ka lidhje ma asnjë strukturë qeveritare, normalisht që qeveria do të jetë pjesë në dialog si të gjithë aktorët, partitë politike, mazhoranca, opozita, etj. Por nuk është një funksion zyrtar qevreritar që u deklarua këtu. Për të qënë të qartë që mos te krijohet, lajmi i para disa ditëve, i mirë apo i keq nuk po komentoj se nuk është ky objekt i këtij takimi por është krejt i kundërt me atë që u deklarua. Vetëm kaq që të sqarohemi.
‘Zjarri’ që ndezi gazetarja nuk 'ndez' nga hiçi, pasi në fakt Bashkimi Europian i ka deleguar një detyrë të rëndësishme departamentit të gazetarisë sa i përketë negociatave të Shqipërisë. Tashmë ky departament do të merret me krijimin e një legjislacioni të ri që ka të bëjë me mediat, që më pas do të miratohet nga Kuvendi i Shqipërisë dhe që do të ndikojë në integrimin e vendit tonë drejt BE-së. Si dekan i këtij fakulteti, Mark Marku do të jetë në krye të këtij komisioni që do të zhvillojë takime me studentë, gazetarë, pronar mediash dhe këdo tjetër që është i interesuar për të dhënë kontributin e tij në këtë proçes.
Pra një detyrë e re e rëndësisë së lartë është caktuar, por jo drejtpërdrejtë Mark Markut, por një departamentit që ai drejton./ ZËRI