VLORË- Pas defektit të rëndë që la pa ujë për 5 ditë me radhë qytetin e Vlorës, Prokuroria ka nisur hetimet me qëllim gjetjen e përgjegjësisë.
Pasojat e ndërprerjes së furnizimit me ujë prekën mijëra familje, biznese dhe institucione publike, duke krijuar një situatë të papranueshme për një qytet turistik dhe qendër urbane si Vlora.
Sipas informacioneve nga mediat lokale, organet ligjzbatuese kanë nisur veprimet e para procedurale lidhur me këtë ngjarje. Policia ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë të një subjekti privat pranë zonës ku ndodhi defekti, për të dokumentuar me saktësi momentin, rrethanat dhe çdo element që mund të ndihmojë në zbardhjen e plotë të ngjarjes. Këto pamje pritet t’i referohen Prokurorisë, ndërkohë që një pjesë e tyre janë bërë publike dhe në media, ku shihet se dëmtimi i tubit ka ndodhur në një kantier ndërtimi në emër të biznesmenit Arben Avduli.
Burime nga Policia dhe Prokuroria bëjnë me dije se çështja pritet të regjistrohet zyrtarisht për hetim, ndërsa fokusi do të jetë jo vetëm te shkaku teknik i defektit, por edhe te mënyra se si është menaxhuar rrjeti i ujësjellësit dhe përgjegjësitë institucionale për mirëmbajtjen e tij.
Hetimi do të synojë të përcaktojë nëse defekti ka ardhur si pasojë e amortizimit të tubacionit, mungesës së investimeve, neglizhencës në mirëmbajtje apo faktorëve të tjerë që mund të kenë ndikuar drejtpërdrejt në këtë situatë.
Ndërprerja e furnizimit me ujë për pesë ditë solli reagime të forta nga qytetarët, të cilët u përballën me vështirësi serioze në përditshmëri.
Hetimet pritet të hedhin dritë mbi shkaqet reale të defektit dhe të përcaktojnë përgjegjësit konkretë.