Aktualitet

Vrau rivalin e drogës, Eugert Merkaj do të deportohet nga Britania në Shqipëri, Daily Mail: Hyn rregullisht live në TikTok

Londra pritet t’i paguajë Tiranës 4 milionë paund në vit për të riatdhesuar 200 nga kriminelët shqiptarë më të rrezikshëm, të dënuar për vepra penale si vrasje, përdhunim, vjedhje dhe trafik droge

E.K
Vrau rivalin e drogës, Eugert Merkaj do të deportohet nga Britania
MERKAJ NE TIK TOK

BRITANI E MADHE- Mediat britanike raportojnë se një shtetas shqiptar i dënuar për vrasje pritet të depërtohet në Shqipëri, ku do të vuajë pjesën tjetër të mbetur të dënimit të tij. Sipas Daily Mail, Eugert Merizaj, postonte shpesh video në TikTok nga qelia e tij, dhe do të depërtohet në Shqipëri, në sajë të një marrëveshje mes dy vendeve, që u kushton taksapaguesve britanikë rreth 4 milionë paund në vit.

Merizaj u dënua me 32 vjet burg në maj të vitit 2022 për vrasjen me armë gjahu të tregtarit rival të drogës, Hemawand Ali Hussein. Ai ndodhet i burgosur në HMP Manchester, i njohur edhe si Strangeways, ku ka transmetuar rregullisht “live” në TikTok nga qelia e tij, në shkelje të rregullave të burgut.

Në një video të publikuar në gusht, Merizaj konfirmoi se kishte aplikuar për t’u transferuar në Shqipëri, në kuadër të një marrëveshjeje të arritur në vitin 2023 mes Britanisë së Madhe dhe Shqipërisë. Sipas kësaj marrëveshjeje, Londra pritet t’i paguajë Tiranës 4 milionë paund në vit për të riatdhesuar 200 nga kriminelët shqiptarë më të rrezikshëm, të dënuar për vepra penale si vrasje, përdhunim, vjedhje dhe trafik droge.

Megjithatë, skema është shoqëruar me vonesa. Një burim nga Shërbimi i Burgjeve në Shqipëri i tha Daily Mail se deri më tani janë transferuar vetëm 11 të burgosur shqiptarë. Më 11 nëntor, një gjyqtar në qytetin e Fierit pranoi kërkesën e Merizajt dhe njohu dënimin e dhënë nga gjykata angleze, duke i hapur rrugë transferimit të tij.

Vrau rivalin e drogës, Eugert Merkaj do të deportohet nga Britania
EUGERT MERKAJ

Pavarësisht kësaj, Merizaj vijon të mbahet në HMP Manchester. Edhe pse përdorimi i telefonave celularë në burg është i ndaluar, ai ka qenë aktiv në TikTok që prej vitit 2023, duke u ankuar së fundmi për kushtet e izolimit dhe qëndrimin e gjatë në qeli.

Sipas autoriteteve britanike, mbajtja e një të burgosuri në burg kushton mbi 53 mijë paund në vit, ndërsa të dënuarit e dhunshëm përbëjnë edhe rrezik për sigurinë. Në burgjet britanike ndodhen ende 15 vrasës shqiptarë që janë të përfshirë në skemën e transferimit, përfshirë edhe Koci Selamaj, i dënuar për vrasjen e mësueses Sabina Nessa.

Merizaj ishte pjesë e një bande që në vitin 2019 joshi Hemaëand Ali Hussein në një banesë në Hartlepool, County Durham, ku ai u vra me armë gjahu. Gjatë dhënies së dënimit në vitin 2022, gjykata pranoi se Merizaj nuk kishte shtënë vetë, por theksoi se ai kishte qenë i përfshirë në planifikimin e vrasjes dhe në sigurimin e armëve.

Pas përfundimit të procedurave, ai pritet të transferohet në burgun e sigurisë së lartë në Peqin, në perëndim të Shqipërisë.

Mes 15 vrasësve shqiptarë që mbeten ende në burgjet britanike është edhe Koci Selamaj, 37 vjeç, i dënuar me burgim të përjetshëm me minimum 36 vjet për vrasjen e mësueses së shkollës fillore Sabina Nessa më 26 shtator 2021.

Një tjetër, Ali Qazimaj, 49 vjeç, vrau çiftin pensionist Peter Stuart, 75 vjeç, dhe bashkëshorten e tij Sylvia, 69 vjeç, pranë shtëpisë së tyre në Weybread, Suffolk, në qershor 2016. Gjykata dëgjoi se ai kishte punuar si kujdestar për një të afërm të dhëndrit të çiftit.

Ndërkohë, Erland Spahiu, 34 vjeç, ishte një nga tetë burrat e dënuar me burgim të përjetshëm për rrëmbimin dhe vrasjen brutale të Christopher Hughes në shkurt 2022. 37-vjeçari kishte pësuar gati 100 dëmtime të ndryshme pasi u ndoq nga një bandë vigjilente që gabimisht besonte se ai kishte përdhunuar një adoleshente.

Një zëdhënës i Ministrisë së Drejtësisë i tha Mail: “Marrëveshjet për transferimin e të burgosurve janë vetëm një nga mënyrat për të nxjerrë kriminelët e huaj nga burgjet tona. Që nga marrja e detyrës, kjo qeveri ka deportuar mbi 5,400 shkelës të huaj – një rritje prej 12 për qind krahasuar me 12 muajt e mëparshëm.

Ne kemi angazhuar staf në 80 burgje për të përshpejtuar largimin e të burgosurve që nuk kanë të drejtë të qëndrojnë në këtë vend.”/ZËRI 

Poll

MOS HUMB