Aktualitet

Vranë Grei Bihucin pas sherrit në rrjetet sociale, Prokuroria e Fierit kërkon 37 vite burg për 2 autorët

Për Florian Mukën, Prokuroria e Fierit kërkon 25 vite burg, ndërsa për kushëririn e tij që është hetuar në arrest shtëpie, është kërkuar 12 vite e 6 muaj burg.

F.I
Vranë Grei Bihucin pas sherrit në rrjetet sociale, Prokuroria e Fierit
Grei Bihuci

FIER-Prokuroria e Fierit ka kërkuar në total 37 vite burg e 6 muaj për dy autorët e dyshuar të vrasjes së Grei Bihuci në mars 2024. Dy kushërinjtë, Florian Muka 18-vjeç dhe Klajdi Muka 16 vjeç, akuzohen për veprat penale ‘Vrasja me paramendim’, dhe ‘Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta’.

Për Florian Mukën, Prokuroria e Fierit kërkon 25 vite burg, ndërsa për kushëririn e tij që është hetuar në arrest shtëpie, është kërkuar 12 vite e 6 muaj burg.

NJOFTIMI:

Prokuroria pranë Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq Florian Muka dhe K. Muka për veprat penale ‘Vrasja me paramendim’, e kryer në bashkëpunim dhe ‘Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta’, të parashikuara nga nenet 78/1 e 25 dhe 279/2 të Kodit Penal.

Nga hetimet e kryera mbi procedimin penal nr. 382 të vitit 2025, rezultoi e provuar se, në datën 11.03.2024, rreth orës 11:30, në lagjen “Kongresi i Përmetit” të qytetit të Fierit, gjatë një takimi për t’u sqaruar lidhur me një konflikt të ndodhur ditë më parë dhe të publikuar në rrjetet sociale, të pandehurit, të cilët kanë pasur me vete armë të ftohta, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë goditur viktimën, duke i shkaktuar atij vdekjen e menjëhershme.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier kërkoi  Deklarimin fajtor të të pandehurit Florian Muka për kryerjen e veprës penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim, dhe në bazë të neneve 78/1 e 25 të Kodit Penal dënimin e tij me 25 vjet burgim.

Si dhe deklarimin fajtor të të miturit në konflikt me ligjin K. Muka për kryerjen e veprës penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim, dhe në bazë të neneve 78/1 e 25 dhe 51 të Kodit Penal dhe 97/2 të Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur, dënimin e tij me 12 vjet dhe 6 muaj burgim.

Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin e plotë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të të gjithë personave që kryejnë vepra penale kundër jetës dhe shëndetit.

Ngjarja ndodhi mesditën e datës 11 mars, ku gjatë një konflikti dy adoleshentët kanë goditur me thikë për vdekje Grei Bihucin. 

Paraditen e 11 Marsit, sapo kishte mbaruar mësim dhe u thirr në telefon nga shoku i tij i mitur, i cili ishte ne telashe. 11 adoleshentë të moshës nga 15 deri në 19 vjeç u përfshin në një konflikt fizik para hotel “Fieri”, me zanafillë një thikë që autori Florian Muka ia kishte dhënë mikut të Greit për ta mbajtur, me të drejtë kthimi. Por ky i fundit nuk ia ktheu dhe këtu lind debati sa në rrjetet sociale aq dhe në lulishtet e qytetit. Muka goditi me thikë Grei Bihucin, me të cilin nuk kishte njohje, por siç ka deklaruar më herët, e ka qëlluar për shkak se gjatë sherrit një person e goditi me përforcues grushti./ZËRI

Poll

MOS HUMB