
GREQI- Tre shqiptarë (baba, bir dhe xhaxha) janë arrestuar nga autoritetet greke si autorë të dyshuar të vrasjes së noterës 69-vjeçare Mariza Tertseti Papadata, e cila u gjet e pajetë pranë shtëpisë së saj në Zakynthos në muajin shkurt. Emrat e të ndaluarve nuk janë bërë publikë. Në lidhje me ngjarjen xhaxhai dhe nipi kanë rrëfyer para autoritetev greke se ishe babai, ai i cili goditi për vdekje me thikë noteren 69-vjeçare.
Nga plani për grabitje tek vrasja
Dy vëllezërit shqiptarë ishin dakordësuar për të grabitur viktimën, për të cilën kishin dijeni se mbante para në banesë. Të dy u strehuan në një ambient me qira të marrë nga djali, i cili kishte rolin e shoferit dhe të nesërmen, të maskuar me kapuçë, doreza dhe maska, i zunë pritë viktimës pranë banesës së saj. Sipas dëshmisë, kur ajo u përpoq të rezistonte, ndodhi përplasja fatale. Noterja u godit me thikë në kofshë dhe humbi jetën për shkak të hemorragjisë së madhe, shkruan Prothotema.
Mjeku ligjor konfirmoi se plagët ishin shkaktuar nga armë e mprehtë dhe se vdekja kishte ndodhur brenda pak minutash. Pas ngjarjes, babai dhe xhaxhai u larguan në këmbë për më shumë se një orë, deri sa djali i mori me makinë. Rrobat e përgjakura u dogjën dhe arma e krimit u zhduk. Të nesërmen, djali i noteres e gjeti nënën e vdekur në hyrje të shtëpisë dhe njoftoi policinë.
Dëshmia
Sipas dëshmisë së 50-vjeçarit, i cili banonte në Nemea, ideja për grabitjen i përkiste 54-vjeçarit (autorit), i cili prej muajsh i fliste për viktimën, duke pohuar se ajo kishte shumë para në shtëpi. Kur bashkëpunëtori i shprehu hezitime, ai i tha: “Mos u shqetëso, gjithçka do shkojë mirë, nuk do lëndojmë njeri.”
Ata bënë vëzhgime një ditë para ngjarjes dhe ndoqën nga afër lëvizjet e noteres, të cilën 54-vjeçari e kishte nën vëzhgim dhe dinte që largohej nga zyra çdo ditë në orën 20:00. Të dy burrat, të punësuar më parë në ndërtim, kishin vendosur të vepronin mëngjesin e asaj dite fatale. Sipas 50-vjeçarit, 54-vjeçari mori me vete një thikë nga kuzhina, pavarësisht se ishte nën ndikimin e alkoolit dhe refuzoi ta shtynte planin, edhe pse bashkëpunëtori i tij i kërkoi të presin.
Të maskuar dhe me doreza për të mos lënë gjurmë, ata i zunë pritë 69-vjeçares kur ajo u kthye në shtëpi. Ajo nisi të bërtiste, dhe 50-vjeçari i kërkoi bashkëpunëtorit të dorëzoheshin dhe të iknin, por 54-vjeçari refuzoi. Në momentin vendimtar, kur viktima vazhdonte të bërtiste dhe përpiqej të shpëtonte, ndodhi përplasja fatale. Sipas 50-vjeçarit, ai pa të dy të përlesheshin në tokë, me 69-vjeçaren të gjakosur rëndë në dysheme, pasi ishte goditur me thikë në kofshën e majtë, plagë që çoi në hemorragji fatale.
Vetëm babai nuk ka pranuar autorësinë e goditjes, ndryshe nga djali dhe vëllai i tij, të cilët rrëfyen gjithçka./ZËRI