Aktualitet

Dënohet me burg përjetë ekzekutori Ruben Saraiva, familja e Ardian Nikulajt: S’ka drejtësi pa zbulimin e porositësit

Portugezi ka theksuar se në dy vite izolim i është ndaluar çdo kontakt me botën e jashtme, duke përfshirë familjen e tij dhe konsullatën e Portugalisë. 

F.I
Dënohet me burg përjetë ekzekutori Ruben Saraiva, familja e
Ruben Saraiva

LEZHË-Gjykata e Lezhë ka dhënë këtë të mërkurë vendimin përfundimtar për shtetasin portugez Ruben Saraiva, të dyshuar si autor i vrasjes së biznesmenit Ardian Nikulaj, ngjarje e ndodhur në prill të vitit 2023 në Shëngjin. Trupa gjyqësore, e kryesuar nga gjyqtari Lirim Bulica, e dënoi Saraivën me burgim të përjetshëm për akuzën e “vrasjes me paramendim”, të kryer në bashkëpunim dhe për interes.

Pas dhënies të vendimit nga gjykata Lezhë për burgim të përjetshëm për Ruben Saraivën, ka ardhur edhe reagimi nga familja e Ardian Nikulajt. Familja e biznesmenit të vrarë në barin e hotelit të tij në Shëngjin, deklaron se ata kishin kohë që e prisnim këtë vendim dhe e shikojmë si një hap përpara në bërjen drejtësi për Ardianin.

“Barbaria e ekzekutimit me gjashtë plumba të Ardianit nga i dënuari drejtësisë shqiptare sot Ruben Saraiva, është një plagë që nuk do të mbyllet kurrë posaçërisht për fëmijët e Ardianit që po rriten pa ngrohtësinë e babait të tyre. Pavarësisht vendimit të sotëm për Ruben Saraivën ne vijojmë të jemi të lënduar nga fakti se Ardiani i trajtojë si miq që të gjithë britanikët ardhur në hotelin e tij, por në fakt ata kishin ardhur me qëllim për ta survejuar e të vritej më pas nga bashkëpunëtori i tyre Ruben Saraiva”, shprehet familja.

Saraiva akuzohet për veprën penale “Vrasje e kryer për interes ose hakmarrje”, si dhe për “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”. Para trupës gjykuese Saraiva ka mohuar sërish përfshirjen në këtë ngjarje, duke deklaruar se është i gatshëm të përballet me drejtësinë shqiptare. Portugezi ka theksuar se në dy vite izolim i është ndaluar çdo kontakt me botën e jashtme, duke përfshirë familjen e tij dhe konsullatën e Portugalisë. 

"I nderuar trup gjykues,

Unë jam akuzuar për një krim të rëndë dhe jam i gatshëm të përballet me drejtësinë shqiptare. Por drejtësia e vërtetë kërkon që çdo i akuzuar, pavarësisht nga natyra e akuzave ndaj tij, të trajtohet sipas ligjit dhe me respektimin e plotë të dinjitetit njerëzor. Mbi dy vjet izolim total, pa zë, pa gjuhë, pa kontakt me familjen, pa kontakt me vendin tim — kjo nuk është siguri. Kjo është vuajtje e heshtur që ligji e ndalon shprehimisht.

Ju kërkoj të dëgjoni jo vetëm faktet e çështjes, por edhe zërin e një njeriu që ka jetuar në heshtje të plotë përmbi dy vjet brenda mureve të këtij shteti. Që nga dita e parë e vendosjes sime në paraburgim, autoritetet e institucionit kanë zbatuar ndaj meje njëprotokoll të veçantë i cili ka nënkuptuar:

Izolim të plotë nga çdo i paraburgosur tjetër, pa asnjë kontakt human. Ndalim të ajërimit të përbashkët me persona të tjerë Ndalim të pjesëmarrjes në çdo aktivitet të përbashkëtbrenda institucionit. Mungesë të plotë të përkthyesit gjatë gjithë periudhëssë paraburgimit. Ndalim të çdo kontakti me botën e jashtme, duke përfshirë familjen time dhe konsullatën e Portugalisë. Unë nuk flas shqip. Gjatë gjithë kësaj periudhe, mungesa e plotë e përkthyesit ka nënkuptuar që:

Nuk kam kuptuar akuzat e ngritura kundër meje në gjuhën shqipe. Nuk kam qenë në gjendje të komunikoj lirisht me avokatin tim mbrojtës. Nuk kam ndjekë dot ecurinë procedurale të çështjes sime. Nuk kam mundur të kontribuoj në mbrojtjen time në mënyrën që ligji ma garanton. Kjo nuk është ankesë e thjeshtë për kushte jetese. Kjo është shkelje e drejtpërdrejtë e të drejtës sime përgjykim të drejtë”,-thuhet në dëshminë e siguruar nga gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu.

Edhe në seancën e kaluar avokati i tij, Kujtim Cakrani, deklaroi se nuk ekziston asnjë provë që implikon klientin e tij në këtë ngjarje. Ai shtoi se Saraiva është diskriminuar gjatë gjithë kësaj periudhe nga Drejtoria e Burgjeve. Avokati ka deklaruar se Saraiva po mbahet padrejtësisht në burg.

“Gjykata e Lezhës ka dënuar një të pafajshëm, sepse nuk ekziston asnjë provë që implikon Ruben Saraivën në këtë vrasje. Çështja është trajtuar si një gjyq popullor dhe jo mbi prova,” deklaroi Cakrani.

Si ndodhi vrasja?

Ardian Nikulaj u ekzekutua me armë zjarri më 19 prill të 2023, teksa ndodhej brenda ambienteve të lokalit të tij në Shëngjin. Në vrasjen e tij akuzohen si të përfshirë 5 persona, porositësi Edmond Haxhia dhe 3 britanikë: Thomas Mithan, Steven Hunt, Harry Simpson dhe Harriet Bridgeman. Ndërsa personi që qëlloi u identifikua nga policia si Ruben Saraiva. Ky i fundit, arriti të largohej jashtë vendit pas ngjarjes, për t’u arrestuar në Marok. Prej andej u ekstradua në vendin tonë në Dhjetor të 2023./ZËRI

Poll

MOS HUMB