Aktualitet

Vrasja e biznesmenit Bujar Nasufi, pas disa muajsh hetime gjendet doreza gjysmë e djegur e autorit

Pas vrasjes së Nasufit, autori lëvizi me një motor që e dogji në një nga tunelet në zonën e Kombinatit, por për shkak se përdori doreza në motomjet nuk u gjetën gjurmë të gishtërinjve.

I.F
Vrasja e biznesmenit Bujar Nasufi, pas disa muajsh hetime gjendet doreza
Bujar Nasufi

TIRANË- Detaje të reja janë zbardhur nga vrasja e biznesmenit Bujar Nasufi më 13 janar të 2025 në zonën “Pallati me Shigjeta” në Tiranë. Sipas “News 24”, është gjetur një dorezë gjysmë e djegur që është përdorur nga autori për të kryer krimin. Pas vrasjes së Nasufit, autori lëvizi me një motor që e dogji në një nga tunelet në zonën e Kombinatit, por për shkak se përdori doreza në motomjet nuk u gjetën gjurmë të gishtërinjve.

Por, në njërën nga dorezat që ishte gjysmë e djegur, u zbulua material biologjik dhe prej tij është përftuar një profil ADN i gatshëm për krahasim. Autoritetet kanë kërkuar që të krahasohet mostra e gjetur me bazën e të dhënave të ADN-së pranë Interpolit. Nëse rezulton i përputhshëm me ndonjë nga profilet e të skeduarve më herët për krime të tjera, prokuroria mund të ketë të dyshuarin e parë. Po ashtu, hetuesit konfirmojnë se me vendimin e gjykatës është vendosur që profili i ADN-së së përftuar të krahasohet me atë të nënës së vëllezërve nga Përmeti, të cilët kanë patur konflikte me biznesmenin e vrarë për shkak të shitjes së një prone nga babai i tyre në emër të Bujar Nasufit.

Të dy vëllezërit janë të skeduar në Spanjë në aktivitetin e trafikut të kokainës dhe prokuroria po heton për implikimin e tyre në këtë ngjarje të rëndë.

Bujar Nasufi u qëllua për vdekje pranë banesës së tij në sytë e gruas. Ai po parkonte makinën kur një person u afrua pranë tij dhe e ekzekutoi më disa plumba. Lidhur me këtë ngjarje, Prokuroria është duke hetuar në disa pista, por e vetmja shpresë që mund ti afrohet të paktën emrit të ekzekutorit është prova e ADN-së që kanë prej tij.

Biznesmeni u ekzekutua mbrëmjen e 13 janarit në sy të bashkëshortes së tij. Sapo ajo zbriti nga makina, një person me motor iu afrua të shoqit dhe e qëlloi me armë zjarri duke e lënë të vdekur në vend. Autori i maskuar kishte pritur prej kohësh para banesës së Nasufit dhe qëlloi në momentin e parë që iu dha mundësia. Nga ajo që është zbuluar deri më tani, Bujar Nasufi ishte një person pa precedent penalë por njihej si biznesmen dhe kishte në zotërim një mobileri. Biznesin e administronte bashkë me të vëllanë, në rrugën “Irfan Tomini”, pranë zonës ku dhe ndodhi vrasja./ZËRI

Poll

MOS HUMB