
TIRANË- Drejtori i Policisë Tiranë, Erion Alushi në një konferencë për media ka folur edhe për vrasjen e biznesmenit Bujar Nasufi, i cili u ekzekutua 2 ditë më parë në Tiranë. Gjatë fjalës së tij, kryepolici i Tiranës u shpreh se uniformat blu po punojnë për zbardhjen e ngjarjes dhe se kanë mbledhur detaje të reja.
Sipas tij, nga ana e grupit hetimor janë mbledhur prova, dhe po punohet intensivisht deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe kapjen e autorëve.
“Policia është angazhuar për zbardhjen e ngjarjes dhe dokumentimin ligjor. Janë mbledhur prova dhe hetimet janë në dinamikë dhe hetime komplekse dhe për këtë arsye nuk janë bërë të ditur detaje,”- tha ai.
Biznesmeni u ekzekutua mbrëmjen e 13 janarit në sy të bashkëshortes së tij. Sapo ajo zbriti nga makina, një person me motor iu afrua të shoqit dhe e qëlloi me armë zjarri duke e lënë të vdekur në vend. Autori i maskuar kishte pritur prej kohësh para banesës së Nasufit dhe qëlloi në momentin e parë që iu dha mundësia. Nga ajo që është zbuluar deri më tani, Bujar Nasufi ishte një person pa precedent penalë por njihej si biznesmen dhe kishte në zotërim një mobileri. Biznesin e administronte bashkë me të vëllanë, në rrugën “Irfan Tomini”, pranë zonës ku dhe ndodhi vrasja./ZËRI