Aktualitet

Vrasja e Eglant Koçit/ Zbërthehen kompjuterët e autorit, prova për kriptomonedha! Ekzekutim për motive financiare?

Sipas burimeve pranë hetimit, pajisjet elektronike janë zbërthyer në Laboratorin Kriminalistik, ku janë gjetur materiale që mund të ndikojnë në ecurinë e mëtejshme të hetimeve.

zh.ll
Vrasja e Eglant Koçit/ Zbërthehen kompjuterët e autorit, prova
Armand Shakaj dhe Eglant Koçi

TIRANË- Të dhëna të reja të zbuluara nga pajisjet kompjuterike të sekuestruara në zyrat e Armand Shakajt kanë nxjerrë në pah informacione që lidhen me llogari të kriptomonedhave, duke forcuar dyshimet e hetuesve se vrasja e Eglant Koçit mund të ketë ndodhur për motive financiare të lidhura me këtë aktivitet.

Sipas burimeve pranë hetimit, pajisjet elektronike janë zbërthyer në Laboratorin Kriminalistik, ku janë gjetur materiale që mund të ndikojnë në ecurinë e mëtejshme të hetimeve. Bazuar në këto gjetje, grupi hetimor pritet të vlerësojë edhe ndryshimin e kualifikimit ligjor të veprës penale që aktualisht po hetohet si “vrasje me dashje”.

Aktualisht, Armand Shakaj vijon të jetë në kërkim nga autoritetet, pasi dyshohet se ka vrarë shokun e tij, Eglant Koçi, dhe më pas ka hedhur trupin e pajetë në një zonë të thepisur në rrethinat e Elbasanit. Trupi i të riut u gjet rreth dy javë më vonë, në gjendje dekompozimi, ndërsa ekspertiza mjeko-ligjore ka zbuluar se viktima ishte qëlluar me armë zjarri në kokë.

Detaje të ngjarjes:

34-vjeçari Eglant Koçi u zhduk që prej mbrëmjes së 4 qershorit, teksa dyshohet se u mor peng dhe më pas u vra nga Armand Shakaj, 41 vjeç. Ky i fundit është shpallur në kërkim nga Policia e Tiranës, ndërsa në burg ndodhet Enea Zyferi, i cili punonte kamarier në lokalin në pronësi të 41-vjeçarit. Zyferi dyshohet se ka qenë dëshmitar i ngjarjes. 

ZËRI publikoi më herët edhe foton e ‘Porsche’ që dyshohet të jetë makina Armand Shakaj (Mand Dhelpra), të cilën e ka përdorur për të transportuar dhe më pas për të zhdukur trupin e 34-vjeçarit Eglant Koçi. Shakaj dyshohet se ka përdorur një karrotrec për të transportuar automjetin e tij, brenda të cilit mendohet se ndodhej edhe trupi i 34-vjeçarit, drejt zonës së Ibës.

Po ashtu, ZËRI publikoi më 6 qershor pamjet ku Eglant Koçi u pa për herë të fundit në zonën e “Sheshit ëilson”, teksa parkonte motorin pranë ambienteve të lokalit të Shakajt. Hetimet treguan se për të humbur gjurmët, autori ka zhvendosur motorin e viktimës nga vendi ku ishte parkuar fillimisht. Motori u gjet në rrugën “5 Maji” në Tiranë.

Policia vijon kërkimet intensive për kapjen e autorit të dyshuar, Armand Shakaj. Sipas sistemit TIMS rezulton se Armand Shakaj nuk ka dalë jashtë vendit dhe policia dyshon se ai fshihet brenda vendit./ZËRI

Poll

MOS HUMB