TIRANË-Pas vrasjes së gjykatësit Astrit Kalaja, Gjykata e Lartë ka thirrur një mbledhje urgjente me të gjithë gjyqtarët e Shqipërisë. Gjyqtarët e Republikës së Shqipërisë do të mbajnë një mbledhje të veçantë, e cila do të zhvillohet ditën e enjte, më datë 9 tetor 2025, ora 10:00, në ambientet e Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Gjykata e Lartë njofton se mbledhja do të shërbejë si reflektim dhe do të shprehë qartë se aktet e dhunës, kërcënimit, e presionit nuk do të ndalojnë gjyqtarin të kryejë detyrën.
Reagimi i Gjykatës së Lartë:
Ngjarja e rëndë dhe e dhimbshme e ndodhur së fundmi, që tronditi thellë sistemin gjyqësor dhe opinionin publik, ka nxjerrë në pah gjendjen e brishtë të sigurisë, por edhe rëndësinë e respektit që duhet të shoqërojë ushtrimin e funksionit gjyqësor.
Pas dakordësisë së shprehur nga të gjithë gjyqtarët e Gjykatës së Lartë dhe pas takimit të zhvilluar me zëvendëskryetarët e të gjitha gjykatave të vendit, është autorizuar Kryetari i Gjykatës së Lartë që, në ushtrim të përgjegjësive institucionale, të thërrasë të gjithë gjyqtarët e Republikës së Shqipërisë në një mbledhje të veçantë, e cila do të zhvillohet ditën e enjte, më datë 9 tetor 2025, ora 10:00, në ambientet e Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Kjo mbledhje përfaqëson një moment të rëndësishëm bashkimi, reflektimi dhe force morale për gjithë trupën gjyqësore të vendit, e cila do të shprehë qartë dhe me dinjitet se:
-asnjë akt dhune nuk do ta përkulë drejtësinë;
-asnjë kërcënim nuk do ta ndalë gjyqtarin të kryejë me ndershmëri detyrën;
-asnjë presion politik apo publik nuk do të cenojë pavarësinë e gjykimit.
Gjyqtarët e Republikës së Shqipërisë do të qëndrojnë të bashkuar, me kurajë dhe vendosmëri, për të mbrojtur jo vetëm jetën dhe dinjitetin e tyre, por edhe vetë të drejtën e qytetarëve për një drejtësi të paanshme dhe të pavarur.
Në këtë moment të ndjeshëm, trupa gjyqësore i drejtohet opinionit publik me besim dhe respekt, duke ftuar të gjithë të kuptojnë se drejtësia nuk është armike e askujt, por mburoja më e fortë e shoqërisë dhe e çdo qytetarindaj padrejtësisë dhe dhunës. Ky është një moment që kërkon forcë, qetësi dhe unitet. Drejtësia shqiptare do të vazhdojë misionin e saj me dinjitet, besim dhe vendosmëri.
Si ndodhi ngjarja?
Gjyqtari Astrit Kalaja humbi jetën ditën e djeshme, 6 tetor, gjatë një seanca gjyqësore. Ai po shyrtonte një çështje që kishte të bënte me një rast pronësie në qarkun e Shkodrës. Autori, Elvis Shkambi, ka pretenduar se ka qenë palë e dëmtuar në çështjen e pronësisë. Momenti fatal i të shtënave është regjistruar sapo gjyqtari Astrit Kalaja është çuar për të dhënë vendimin. Në atë moment, Shkambi ka nxjerrë pistoletën dhe e ka qëlluar gjyqtarin me 3 plumba në gjoks. Gjyqtari Astrit Kalaja nuk arriti t'i mbijetonte 3 plumbave në gjoks dhe humbi jetën rrugës për në spital. Ndërkohë, si pasojë e plumbave kanë mbetur të plagosur edhe 2 persona të tjerë (babë e bir) Rakip dhe Ervis Kurtaj, të cilët aktualisht ndodhen në spital. Në pranga kanë rënë autori, xhaxhai i tij Gjon Shkambi dhe roja e sigurisë, Banush Koxhaj, që e lejoi hyrjen e armatosur të autorit në ambientet e gjykatës, ku ndodhi krimi./ZËRI