TIRANË-Ngjarja e rëndë ndodhur mesditën e djeshme ku, gjyqtari Astrit Kalaja u vra gjatë një seanca gjyqësore, nuk ka kaluar pa pasoja në procesin gjyqësor në vend. Pas vrasjes së Kalasë, Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë ka marrë vendimin të bojkotojë të gjitha proceset hetimore dhe ato gjyqësore penale, civile dhe administrative në të gjitha nivelet e gjykimit, për datat 9 dhe 10 tetor 2025.
Ky vendimi i tyre, është një thirrje drejtuar opinionit publik, politikës shqiptare, Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, si dhe të gjitha palëve të ndërgjegjshme, që të angazhohen me përgjegjësi maksimale për sigurimin e jetës dhe shëndetit të figurave të drejtësisë.
VENDIM- KOMITETI DREJTUES I DHOMËS SË AVOKATISË SË SHQIPËRISË
Komiteti Drejtues i Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë përcjell me shqetësim të thellë ngjarjen tragjike të vrasjes së gjyqtarit të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, z. Astrit Kalaja, si një nga ngjarjet më të rënda dhe të paprecedenta të ndodhura ndonjëherë në sistemin e drejtësisë.
Komiteti vendosi njëzëri të bojkotojë të gjitha proceset hetimore dhe ato gjyqësore — penale, civile dhe administrative — në të gjitha nivelet e gjykimit, për datat 9 dhe 10 tetor 2025.
Ky bojkot është një thirrje drejtuar opinionit publik, politikës shqiptare, Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, si dhe të gjitha palëve të ndërgjegjshme, që të angazhohen me përgjegjësi maksimale për sigurimin e jetës dhe shëndetit, si dhe të veprimtarisë e aktivitetit të gjyqtarëve, prokurorëve dhe avokatëve, në ushtrimin e detyrave të tyre për realizimin dhe funksionimin e drejtësisë.
Ky vendim nuk shtrin efektet e tij mbi masat e sigurimit në procesin penal.
Urdhërohen të gjithë kryetarët e dhomave vendore të avokatisë për ekzekutimin e këtij vendimi.
KRYETARI
Prof. Dr. Maksim Haxhia
Si ndodhi ngjarja?
Gjyqtari Astrit Kalaja humbi jetën ditën e djeshme, 6 tetor, gjatë një seanca gjyqësore. Ai po shyrtonte një çështje që kishte të bënte me një rast pronësie në qarkun e Shkodrës. Autori, Elvis Shkambi, ka pretenduar se ka qenë palë e dëmtuar në çështjen e pronësisë. Momenti fatal i të shtënave është regjistruar sapo gjyqtari Astrit Kalaja është çuar për të dhënë vendimin. Në atë moment, Shkambi ka nxjerrë pistoletën dhe e ka qëlluar gjyqtarin me 3 plumba në gjoks. Gjyqtari Astrit Kalaja nuk arriti t'i mbijetonte 3 plumbave në gjoks dhe humbi jetën rrugës për në spital. Ndërkohë, si pasojë e plumbave kanë mbetur të plagosur edhe 2 persona të tjerë (babë e bir) Rakip dhe Ervis Kurtaj, të cilët aktualisht ndodhen në spital. Në pranga kanë rënë autori, xhaxhai i tij Gjon Shkambi dhe roja e sigurisë, Banush Koxhaj, që e lejoi hyrjen e armatosur të autorit në ambientet e gjykatës, ku ndodhi krimi./ZËRI