TIRANË-Gjykata e Apelit ka urdhëruar Prokurorinë të rinisë hetimet për vrasjen e ish-policit Arben Bilali. Më herët Gjykata e Tiranës pushoi hetimin e nisur ndaj Gjergj Cukalit, si i dyshuar për ngjarjen.
"U vendos kthimi i akteve për vazhdimin e hetimeve në kuadër të procedimit penal numërt 1006 datë 30.01.2019, regjistruar për veprat penale “Vrasja me paramendim”, “Prodhimi e mbajtja pa leje e armëve luftarake”, parashikuar nga nenet 78/2 dhe 278/2 të Kodit Penal, me person nën hetim Gj.K. Caktimin e një afati 3-mujor për kryerjen e këtyre veprimeve, afat që nis nga momenti i njoftimit të këtij vendimi. Ndaj këtij vendimi lejohet rekurs sipas ligjit në Gjykatën e Lartë”, thuhet në vendimin e Apelit të GJKKO-së,"-thuhet në vendim.
Gjergj Cukali u arrestua në 30 maj 2019, 4 muaj pas ekzekutimit te ish-policit, si i dyshuar për vrasjen e Arben Bilalit. Ai u lirua pas tre muajsh, pasi prova kryesore kundër tij, një gjurmë ADN-je e tij në mjetin e vrasjes, u vlerësua si e papërdorshme nga gjykata. Cukali është i dënuar me 25 vite burg, i cili dyshohet si i përfshirë në tentativat për të vrarë dy biznesmenët, Gjon Mena dhe Artion Bylyku.
Bilali u ekzekutua më 30 janar 2019 në zonën e Selitës, Tiranë. Ish-efektivi i Policisë së Shtetit, po udhëtonte me një mjet tip “Hyundai” kur u qëllua për vdekje me 14 plumba nga persona ende të paidentifikuar. Autorët u larguan nga vendngjarja me një makinë tip “Benz”. Pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë mjekësore, Bilali nuk arriti të mbijetonte. Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur për motive hakmarrjeje, pasi familja e Bilalit ka qenë e përfshirë në konflikte të hershme me dy familje të tjera në kryeqytet./ZËRI