TIRANË- Një nga personat e dyshuar për grabitjen me armë të argjendarisë në Kamëz, është arrestuar nga policia. Sipas njoftimit të bluve, 22-vjeçari Elez Hysa, ka marrë pjesë në vjedhjen e argjendarisë në pronësi të shtetasit O.L., ku u morën një sasi bizhuterish. Ndërkohë, vijon puna për kapjen e autorit tjetër, bashkëpunëtori i 22-vjeçarit.
Njoftimi i Policisë:
Kamëz/Veprime intensive hetimore për identifikimin dhe kapjen e autorëve të vjedhjes me dhunë në një argjendari në Kamëz, më datë 16.05.2026.
Në vijim të hetimeve të thelluara të kryera nga grupi hetimor, për identifikimin dhe kapjen e 2 shtetasve që vodhën nën kërcënimin e armës bizhuteri në një argjendari në Kamëz, kanë bërë ndalimin me iniciativë të shtetasit:
-E. H., 22 vjeç, banues në Krujë.
Nga hetimet dyshohet se ky shtetas, është i implikuar në vjedhjen argjendarisë në pronësi të shtetasit O. L., ku u morën një sasi bizhuterish.
Gjithashtu, janë sekuestruar disa sende të kundërligjshme, të vlefshme për hetimin.
Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorit dhe për dokumentimin e plotë të rastit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, kryer në bashkëpunim.
Ngjarja ndodhi mesditën e të shtunës, 16 maj, në orën 13:00, ku dy persona të maskuar kanë hyrë me armë zjarri në ambjentet e argjendarisë dhe kanë marrë një sasi bizhuterish. Autoritetet kanë ngritur pika kontrolli dhe po punohet për kapjen e autorit tjetër të ngjarjes./ZËRI