
TIRANË-Avokati mbrojtës i Mario Përlleshit, autorit të vrasjes së Martin Canit, ka ankimuar masën e sigurisë "arrest në burg" të caktuar ndaj 14-vjeçarit. Mbrojtja pretendon se i mituri e ka qëlluar me thikë, momenti i cili dyshohet se edhe u vetëplagos në kushtet e vetëmbrojtjes.
Të shtunën e kaluar, 14-vjeçari është ripyetur për 8 orë, nga Prokuroria e Tiranës në prezencë të avokatit, psikologut dhe njërit prej prindërve. Ndërkohë pritet që në Apelin me Juridiksion të Përgjithshëm, të hidhet shorti për caktimin e trupës që do të shqyrtojë kërkesën e avokatit të Përlleshit.
Martin Cani humbi jetën mesditën e 18 nëntorit pasi u qëllua me thikë në bark nga bashkëmoshatari i tij, Mario Përlleshaj. Sherri mes të miturve kishte nisur që të premten. Të hënën ishin riparë dhe ishin zënë gjatë orarit të pushimit të gjatë në oborrin e shkollës. Pas përfundimit të mësimit, të dy kishin mbledhur shokët për t'u përballur, por situata ka agravuar në përdorimin e thikës. Pasi është goditur me thikë, Cani është afruar tek shkolla, ka ecur disa metra dhe pasi ka nisur të humbë gjak, është rrëzuar në trotuarin para shkollës.
Si pasojë e plagëve të marra, Cani ka ndërruar jetë në spital. Ndërsa shoku i tij, Luis Meçe, mori 4 goditje me thikë, por fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën dhe ka lënë spitalin. Autori gjithashtu mbeti i plagosur në dorë, por kjo nuk e pengoi që pak çaste pas krimit të rëndë autori të pozonte për "Snapchat". Sipas Policisë, fotoja i është bërë nga një shok i papërfshirë në përplasje teksa ishin duke shkuar me taksi për në spital. Tashmë, ai është shoqëruar në institucionin për të miturit në Kavajë, në pritje të verdiktit për dënimin e tij./ZËRI