KSAMIL-Pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Ksamil, ku truproja i plazhit 'Principotes', Sokrat Vata vrau me thikë turistin portugez, 38 persona janë shoqëruar nga Policia e Sarandës për t’u marrë në pyetje. Lidhur me ngjarjen është arrestuar Moisid Matushaj, 24 vjeç, me detyrë Ndihmës Specialist i Hetimit të Krimit në Drejtorinë Vendore të Kufirit Gjirokastër.
Efektivi dyshohet se ka ndihmuar 29-vjeçarin Sokrat Vata të largohej pas vrasjes së 21-vjeçarit portugez. Rezulton se Matushaj punonte si bodyguard i kompanisë “Elite Security”, së bashku me Sokrat Vatën, në lokalin “Principote”. Ndërkohë raportohet se në kërkim është shpallur edhe Bekim Bulica, 36 vjeç, pronari i 'Principotes'. Nga hetimet rezulton se ai ndodhej në vendin e ngjarjes dhe më pas është larguar drejt Tiranës, me qëllim shmangien e hetimit.
Ngjarja u raportua mëngjesin e sotëm, ku rreth orës 05:15 u konstatua i vrarë me thikë 21-vjeçari portugez në shezlongët e plazhit. Turisti kishte marrë pjesë mbrëmjen e djeshme në një festë që organizohej në beach bar-in e “Principote” nën ritmet e një Dj të njohur francez. Burime bëjnë me dije se viktima ishte në shoqërinë e disa miqve, kur është përfshirë në një konflikt me Sokrat Vatën, ku sherri ka agravuar në përdorimin e thikës. Dyshohet se shkak i konfliktit ka qenë një vajzë.
Vata e ka goditur disa herë me thikë në shpinë e kraharor turistin. Prej orëve të mëngjesit ai ishte në arrati, teksa u arrestua në Levan të Fierit.