Aktualitet

Vrasja e Renis Dobrës/ Me kërkesë të SPAK, GJKKO zgjat me 3 muaj hetimet për 3 vëllezërit Bushgjokaj

Vendimi është marrë pas kërkesës së SPAK, i cili ka kërkuar shtyrjen e afatit hetimor deri në muajin tetor, me argumentin se nevojiten veprime të tjera hetimore për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

zh.ll
Vrasja e Renis Dobrës/ Me kërkesë të SPAK, GJKKO zgjat me 3
vellezerit bushgjokaj-renis dobra

TIRANË- Gjykata e Posaçme ka vendosur të zgjasë me 3 muaj afatin e hetimeve për tre vëllezërit Aleksandër, Kristi dhe Fation Bushgjokaj, si dhe për Petrit Çakrin, të dyshuar për vrasjen e të riut Renis Dobra.

Vendimi është marrë pas kërkesës së SPAK, i cili ka kërkuar shtyrjen e afatit hetimor deri në muajin tetor, me argumentin se nevojiten veprime të tjera hetimore për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Sipas SPAK, është e domosdoshme kryerja e disa veprimeve hetimore në kuadër të akteve të ekspertimit të telefonave dhe disa mbivendosje të gjurmëve papilare.

Kërkesa e SPAK është kundërshtuar nga avokati Erjon Kullolli, përfaqësuesi ligjor i Fation Bushgjokajt. Ai argumentoi se prokuroria ka pasur mundësi objektive për të kryer veprimet proceduriale të pretenduara dhe se ato ende nuk janë realizuar.

Sipas mbrojtjes, deri në këtë fazë të procedimit penal, SPAK nuk ka argumentuar ende kryerjen e veprës penale të “Rrëmbimit”, si dhe faktin që kjo vepër të jetë kryer në kuadër të bashkëpunimit të posaçëm të grupit të strukturuar kriminal.

Avokati Kullolli shtoi gjithashtu se kërkesa e SPAK bie ndesh me vendimin e Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, pasi Prokuroria nuk ka arsyetuar dhe argumentuar shkaqet pse masa e sigurimit "arrest me burg" është masa më e përshtatshme. Ndërkohë që avokati i caktuar nga gjykata i shtetasit Petrit Çarki e la në vlerësim të gjykatës kërkesën.

Në seancën e fundit, tre vëllezërit u përfshinë në një konflikt fizik me të akuzuarin tjetër Petrit Çakri në sallën e Gjkko, pasi ky i fundit i impikoi në vrasjen e Dobrës.

Katër të dyshuarit akuzohen për rrëmbimin dhe vrasjen e të riut Renis Dobra, në zonën e Matit.

Renis Dobra, 23 vjeç, u vra mbrëmjen e 8 Korrikut 2025 në fshatin Madhesh të Matit. Ai ishte mbytur me litar nga autorët dhe më pas trupi i tij ishte futur brenda makinës. Autorët tentuan ta hidhnin makinën në Liqenin e Ulzës, por trupi mbeti buzë liqenit. Motivi i vrasjes së 23-vjeçarit në Mat dyshohet të ketë qenë konflikti për drogën në Gjermani.

Për të kryer vrasjen, tre vëllezërit Bushgjokaj dhe Çakrri kishin marrë disa makina me qira, në Rinas dhe Yzberisht, të ndryshme çdo ditë për të paktën 72 orë me radhë kur kanë survejuar lëvizjet e Dobrës. Natën e rrëmbimit u përdor një automjet i zi Range Rover dhe një tjetër i bardhë. Në pamjet e siguruara nga Policia dallohen autorët që lëvizin në drejtim të fshatit Zenisht, ku kanë ndjekur të riun, dhe më pas në kthim, e kanë marrë peng./ZËRI

Poll

MOS HUMB