
TIRANË- Policia e Shtetit ka dalë me një tjetër njoftim për vrasjen e të resë në një shtëpi me qera në Tiranë. Sipas uniformave blu, viktima është një 24-vjeçare, e cila dyshohet se është vrarë nga bashkëshorti i saj, 25 vite më i madh. Autori është identifikuar si Fadi Alwan, 49 vjeç. Të dy ishin palestinezë dhe kishin marrë me qira apartamentin ku ndodhi ngjarja.
"Viktima kishte plagë të shumta të shkaktuara me mjet prerës, që dyshohet të kenë qenë shkak për humbjen e jetës,"-bën me dije Policia.
Po ashtu, Policia e Shtetit ka bërë me dije se autori, pasi ka kryer vrasjen, është larguar menjëherë jashtë territorit të Shqipërisë.
NJOFTIMI I POLICISË:
Tiranë
Falë veprimeve të shpejta hetimore, identifikohet dhe shpallet në kërkim autori i vrasjes së 24-vjeçares, të gjetur pa shenja jete në një apartament në rrugën “Gjon Muzaka”. Sektori për Krimet e Rënda në DVP Tiranë, falë veprimeve të shpejta hetimore dhe profesionale, si dhe analizimit të provave, ka identifikuar dhe shpallur në kërkim autorin e dyshuar të vrasjes së 24-vjeçares, shtetasin F. A., 49 vjeç.
Rreth orës 12:55, shërbimet e Policisë u njoftuan për gjetjen e një shtetaseje pa shenja jete në një apartament me qira, në rrugën “Gjon Muzaka”. Gjatë fazës së parë të hetimeve, u konstatua se viktima kishte plagë të shumta të shkaktuara me mjet prerës, që dyshohet të kenë qenë shkak për humbjen e jetës. Në vijim të veprimeve, Policia bëri të mundur edhe identifikimin e viktimës, shtetases R. A., 24 vjeçe, e cila, së bashku me bashkëshortin e saj, shtetasin F. A., 49 vjeç, rezultojnë të jenë shtetas palestinezë dhe kishin marrë me qira apartamentin ku ndodhi ngjarja. Nga të dhënat e deritanishme hetimore, dyshohet se autori i ngjarjes është larguar menjëherë jashtë territorit të Shqipërisë, pas kryerjes së krimit, i cili dyshohet të ketë ndodhur disa ditë më parë.
Grupi hetimor po vijon punën për përcaktimin e saktë të kohës së ngjarjes, nëpërmjet ekspertizës mjekoligjore dhe analizimit të provave të sekuestruara. Vijon puna intensive për lokalizimin dhe kapjen e autorit të shpallur në kërkim, si dhe për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje. Materialet do t’i referohen Prokurorisë për veprime të mëtejshme./ZËRI