FIER-Policia ka ndarë pamjet e arrestimit të Sokrat Vatës, 29-vjeçarit i cili vrau me thikë të riun portugez në Ksamil. Në video shihet momenti kur truproja i 'Principotes' nxirret nga bagazhi i një automjeti tip Ford, i cili drejtohej nga një shtetase turke, 31-vjeçare. Arrestimi i tij u krye nga pika e kontrollit e ngritur në Levan. Vata shihet zbathur dhe me tuta të gjakosura, ndërsa nga Policia shoqërohet edhe pasagjeri, një 38-vjeçar, shtetas turk.
Vata ishte në kërkim prej 5 orësh nga konstatimi i trupit të pajetë të turistit Luis Miguel Varela Mendes. Ky i fundit u vra me thikë pas një konflikti për një vajzë nga 29-vjeçari i cili rezulton të jetë truprojë në plazhin e “Pronciopotes”.
Njoftimi i policisë:
Kapet dhe vihet në pranga, pas 5 orësh nga vrasja, autori i dyshuar i vrasjes së 20-vjeçarit, në Ksamil
Kapja e tij u bë si rezultat i koordinimit dhe bashkëpunimit të shërbimeve të Policisë të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Fier.
Autori i dyshuar u kap nga shërbimet operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me shërbimet e forcës “Shqiponja” të DVP Fier, në pikën e përbashkët të kontrollit të ngritur për kapjen e tij, në aksin rrugor “Levan-Fier”.
Autori i dyshuar, shtetasi S. V., 29 vjeç, ishte fshehur në bagazhin e një automjeti që drejtohej nga një 31-vjeçare, shtetase turke, ndërsa në automjet udhëtonte si pasagjer edhe një 38-vjeçar, shtetas turk.
Autori i dyshuar dhe dy shtetasit turq u shoqëruan në DVP Vlorë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Ndërkohë, grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.