Aktualitet

Vrasja me tritol e Hysni Ymerit! Burg për 4 autorët, Gert Bushati: Më thirrën për punë, s'kisha dijeni për vrasje, vetëm për...

Gert Bushati ka deklaruar gjithashtu se nuk e ka idenë cila është arsyeja e vendosjes së tritolit dhe se roli i tij ka qenë vetëm për ta vendosur.

F.I
Vrasja me tritol e Hysni Ymerit! Burg për 4 autorët, Gert Bushati:
Hysni Ymeri

SHKODËR-Është mbajtur sot seanca për katër autorët e akuzuar për vrajsen e Hysni Ymerit, i cili humbi jetën pas shpërthimit me tritol të vendosur në sahatin e energisë elektrike të pallatit ku banonte. Në lidhje me ngjarjen e ndodhur më 29 dhjetor 2025 janë arrestuar Gerti Bushati, Ergys Ibrahimi, Edison Hasaj dhe Gjergji Zefi. 

Gert Bushati, i dyshuar në vrasjen e Hysni Ymerit ka pranuar se është personi që ka vendosur sasinë e eksplozivit, ndërsa deklaroi se pororsinë ia dhanë Edison Hasaj, Gjergj Zefi dhe Ergys Ibrahimi. Por këta të fundit janë shprehur se nuk kanë asnjë lidhje me tritolin dhe kanë mohuar se mund të jenë ata porositësit e Gert Bushatit.

Bushati ka deklaruar se nuk ka patur dijeni se sasinë e eksplozivit do ta vendoste për të vrarë ndonjë person. Ai është shprehur se i është thënë nga porositësit se do të jetë vetëm për të trembur dikë dhe jo për të vrarë.

“Kur kam mësuar se ka vdekur shtetasi Hysni Ymeri jam tmerruar. Nuk kam patur dijeni për vrasje, vetëm për të trembur dikë. Shtetasit Gjergj Zefi, Edison Hasaj dhe Ergys Ibrahimi më kanë kontaktuar për këtë punë dhe e kam pranuar. Tritolin e kam vënë me datë 27 dhjetor por pa e ditur se bëhej fjalë për vrasje”, ka thënë ai.

Për katër të akuzuarit gjykata caktoi “Arrest me burg”.

Hetuesit kanë arritur të siguojnë prova të mjaftueshme mbi përfshirjen e tyre, ndërsa nga pamjet e kamerave të sigurisë të një biznesi pranë pallatit është identifikuar Bushati duke vendosur lëndën shpërthyese në sahatin elektrik të katit të parë të pallatit. Lënda plasëse u la 2 ditë i pashpërthyer te sahati elektrik, ndërsa është aktivizuar 2 ditë më vonë, 29 dhjetor. Shpërthimi ndodhi në momentin kur Ymeri po ngjitej në shkallët e pallatit për të hyrë në banesë.

Kush është Hysni Ymeri

Hysni Ymeri është vëllai i një personi të dënuar me burg për një vrasje të ndodhur shumë vite më parë në Shkodër. Në vitin 1995 në Kiras është vrarë Shefqet Çekorja nga vëllai i Hysni Ymerit. Por, disa vite më vonë, dy familjet kishin arritur pajtimin. 

Ndërkohë disa vite më pas sipas burimeve dy familjet kanë shtrirë dorën e pajtimit. Shefqet Çekorja është vëllai i Ismet Çekores që u vra në shtatorin e vitit 2022 në afërsi të banesës. Historia e dhunës në familjen Ymeri përfshin incidente të tjera të lidhura me vrasje në vitet e fundit. Disa vite më parë djali i xhaxhait i Hysni Ymerit vrau bashkëshorten e tij dhe më pas qëlloi edhe vetveten. Ndërkohë një kushëri tjetër, shtetasi Dritan Ymeri vrau në 2017 shtetasin Ilir Aliaj, mjek në profesion në Shkodër pas një konflikti pronësie.

Megjithatë, ngjarja mbetet ende e paqartë dhe pritet dëshmia e të rinjve./ZËRI

Poll

MOS HUMB