LEZHË- Një çift bashkëshortësh janë ekzekutuar në automjetin e tyre në Lezhë. Njëri prej viktimave është Kreshnik Mujeci, i cili ndodhej me bashkëshorten në makinë, e cila po ashtu ka mbetur e vdekur.
Ngjarja e sotme dyshohet se ka prapavijë gjakmarrjen. Viktima Kreshnik Mujeci është një emër i njohur për Policinë, pasi rezulton i përfshirë në një ngjarje kriminale në vitin 2016.
Kush është Kreshnik Mujeci-Ngjarja në 2016-ën
Mujeci, së bashku me dy vëllezërit e tij, Lin Mujeci dhe Jozef Mujeci, dyshohen për vrasjen e Gegë Mëhilli, i njohur dhe si Gent Mëhilli, më 6 tetor 2016.
Ngjarja ndodhi në rrugën nacionale Shkodër- Velipojë, pranë vendit të njohur si Mali i Jushit.
Jozef Mujeci, së bashku me vëllezërit e tij, i kishin prerë rrugën kamionit me të cilin Mëhilli transportonte miell. Kur ai braktisi automjetin dhe tentoi të largohej përmes fushave, vëllezërit hapën zjarr ndaj tij duke e lënë të vdekur në vend. Shkak për ngjarjen, ishte bërë një konflikt mes viktimës dhe vëllezërve një ditë më parë.
Mujeci, u akuzua për veprën penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim. Ai dhe vëllai i tij u arrestuan një vit më vonë, në operacionin e koduar “One Year”.
Më pas, sipas një vendimi të vitit 2018 nga Gjykata e Shkodrës, Mujeci u shpall u pafajshëm lidhur me vrasjen në fjalë, me argumentin se “nuk provohet ta ketë kryer veprën penale për të cilën akuzohet”. Më 27 nëntor 2018 Shkalla e Parë e Gjykatës së Shkodrës e shpalli të pafajshëm Jozef dhe Kreshnik Mujecin për vrasjen e Genc Mhillaj duke konsideruar mungesë provash.
“Prova e vetme e pretenduar nga prokuroria si implikuese e të pandehurit Kreshnik Mujeci është se 2-3 km larg vendit të ngjarjes është gjendur e parkuar makina e tij është e mjaftueshme për të hedhur poshtë akuzën e ngritur ndaj këtij të fundit, si akuzë të paprovuar me prova bindëse, por vetëm me një indicie tejet periferike. Nga analiza e dëshmisë së shtetasit M.M rezulton se i pandehuri Kreshnik Mujeci ka shkuar dhe herë të tjera për të pirë kafe tek lokali i dëshmitarit pak metra më tutje dhe e ka parkuar makinën e tij dhe herë të tjera në atë vend.
Në këto kushte, vetëm fakti se këtë herë makina e të pandehurit është gjetur e parkuar në atë vend jo të pazakontë, nuk arrin dot as në nivelin e indicies për fajësinë e tij. Po ashtu nga vetë i pandehuri Kreshnik Mujeci u shpjegua versioni i ngjarjes. I pandehuri deklaroi se ai me të marrë vesh për faktin se sipas lajmeve kushëriri i tij Jozefi kishte kryer një vrasje e çmoi të arsyeshme për shkak të ndonjë hakmarrje të mos lëvizte nga vendi ku po qëndronte po ashtu ka bërë dhe me makinën”, thuhet në arsyetimin e gjykatës.
Më 6 nëntor 2019 Gjykata e Apelit Shkodër vendosi të mos pranojë ankimin e prokurorisë për vendimin e Shkallës së Parë ndërsa Gjykata e Lartë e ktheu për gjykim më 31 tetor 2024.