TIRANË-Teksa nesër pritet të mblidhet Këshillli për Rregulloren, dhe Imunitetin ndaj zv.kryeministres dhe ministres Belinda Balluku është zbardhur relacioni i SPAK drejtuar Kuvendit. Relacioni hetimor mbështetet dhe mbi një USB ku, janë evidentuar rreth 6500 mesazhe telefonike që përputhen dhe me prova shkresore që formojnë pazëllin e aktivitetit kriminal të Ministres së Infrastrukturës dhe Energjetikës Belinda Balluku, vartësit të saj, Evis Berberi dhe zyrtarëve të tjerë.
Ndërkohë Prokuroria e Posaçme arsyeton se kërkon arrestimin e Ballukut për shkak se situata penale është rënduar dhe zv.kryeministrja dyshohet për manipulim në të paktën 11 tendera dhe rrezikon që të kryejë krime më të rënda për shkak të personalitetit të saj
Burime pranë grupit të hetimit thanë për gazetarin Elton Qyno, se në këto biseda nuk janë vetëm paracaktimet e 7 tenderave të Unazës së Madhe, por ekzistojnë dhe tendera të tjerë për ndërtimin e rrugëve. Bëhet fjalë për koncesionin e ndërtimit të rrugës Thumanë-Kashar më shumë se 245 mln euro nga kompania Gener 2 e Bashkim Ulajt, tenderin e rrugës Porto Romano-Durrës 12 mln euro dhe mirëmbajtja e akseve të veriut me vlerë 440 mijë euro.
Përmes mesazheve SPAK ka arritur të krijojë bindjen se në këmbim të disa tenderava merreshin apartamente, të cilët regjistroheshin me emra të persona të tjerë. Këto mesazhe do çojnë SPAK, në hapjen e një dosje të re për Belinda Ballukun, për hetimin pasuror të saj, ku në fokus janë transfertat bankare, pasuria kapitale dhe pasuritë e fshehura në Tiranë dhe jo vetëm.
Njëherësh në dosje ka biseda për mjete lundrimi “Jahte”, duke çuar në identifikimin e episodeve të tjera të abuzimit me detyrën.
Prokuroria thotë se përmes metodave speciale të hetimit ka zbuluar se Balluku i ka bërë presion një prej vartësve të saj, edhe pasi është marrë e pandehur dhe ende nuk ishte pezulluar nga detyra. Në dokumentin e firmosur nga prokurori Dritan Prençi thuhet se rëndimi i masave të sigurisë, duke zëvendësuar pezullimin nga detyra dhe ndalimin e lëvizjes jashtë vendit, kërkohet posaccërisht për provat e reja, që s’kanë qenë objekt në vendimet e mëparshme të gjykatave.
Kërkesa e Prokurorisë pritet të shqyrtohet nga deputetët, të cilët do të vendosin për heqjen e imunitetit dhe mundësinë e arrestimit të kryeministres.