TIRANË-Ka përfunduar senaca për konfirmimin e masave të sigurisë ndaj personave në GJKKO lidhur me aksionin e nisur nga SPAK në vjim të hetimeve për çështjen e tenderave të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë dhe Informacionit (AKSHI).
GJKKO ka lënë në fuqi masën 'arrest shtëpie' për drejtuesen e AKSHI-t Mirlinda Karcanaj dhe zv/drejtoreshën Hava Delibashi. Për drejtorin e Policisë së Tiranës, Erion Ismaili, GJKKO ka lënë në fuqi masën “pezullim nga detyra”, ndërsa ka hequr masën “ndalim për të dalë jashtë vendit”. Ndalimi për të dalë jashtë shtetit mbetet në fuqi për Andis Papën, Gëzim Hoxhën dhe Rogers Rrytën.
Ndërkohë në kërkim me masën arrest me burg janë Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri. Gjatë hetimeve u zbulua se Ergys Agasi, në bashkëpunim me Ermail Beqirin dhe me ndihmën e policisë, kanë marrë peng Gerond Meçen, një prej biznesmenëve që fitonte më së shumti tendera në AKSHI dhe pas shantazheve për disa orë me radhë e kanë detyruar të heqë dorë nga gara.
Hetimet e SPAK dyshohet se përfshijnë rreth 12 procedura tenderimi, ku ekzistojnë indicie se gara është manipuluar për të favorizuar subjekte të caktuara ekonomike, në kundërshtim me ligjin dhe parimet e konkurrencës së ndershme. Operacioni konsiderohet një nga ndërhyrjet më të rëndësishme të SPAK në sektorin e prokurimeve publike dhe teknologjisë së informacionit, ndërsa hetimet pritet të thellohen edhe ndaj personave të tjerë, përfshirë zyrtarë dhe përfaqësues biznesesh./ZËRI

