GREQI-Një tjetër grup kriminal i trafikut të drogës është goditur në Athinë, ku në pranga janë vendosur 4 anëtarë të organizatës, 2 shqiptarë të moshës 55 dhe 30 vjeç dhe 2 grekë të moshës 22 dhe 30 vjeç, të cilët u kapën duke poseduar sasi të lëndëve narkotike për trafikim.
Mediat greke raportojnë se të arrestuarit ishin aktivë në trafikimin e sasive të konsiderueshme të marijuanës dhe hashashit cokollatë në Athinë. Droga shitej 2.500 euro për kilogram, ndërsa hashashi çokollatë 5.000 euro për kilogram.
Aksioni u zhvilllua mbrëmjen e 16 dhjetorit, ku mes të arrestuarve rezulton edhe 30-vjeçari shqiptar Kostandinos Jorgji nga Tepelena, i njohur me emrin artistik “For3al”. Ai është këngëtar i llojit traper në Greqi.
Këngëtari ishte zëvendëskryetari i organizatës kriminale, përgjegjës për ruajtjen e lëndëve narkotike. Në krye të grupit qëndronte 55-vjeçari, i cili ishte përgjegjës për gjetjen, ruajtjen e drogës si dhe për mbledhjen dhe ruajtjen e fitimeve të organizatës kriminale.
Nga kontrollet fizike dhe në banesat e tyre u gjetën dhe u sekuestruan 1 kg e 907 gramë hashash cokollatë, 15 kg e 153 gramë marijuanë, 1 makinë, 1 motorr, 1 jelek antiplumb, 1 numërator parash, 4 peshore elektronike precize, 4 celularë dhe 51.490 euro. Vlerësohet se përfitimi total i paligjshëm që organizata nxori nga aktiviteti i saj kriminal tejkalon 95.000 euro.