Aktualitet

'Punishte luksi' në Tiranë/ Zbulohen 2 magazina ku stampoheshin me logo false, 4 të arrestuar

Përzgjedhja nuk kishte limit! Nga pamjet e operacionit të Policisë, duken stampat që mund të zgjedhësh për çdo produkt, nga Jordan, tek Calvin Klein; The North Face dhe Tommy Hilfiger.

k.m.
'Punishte luksi' në Tiranë/ Zbulohen 2 magazina ku
Pamjet e magazinës

TIRANË- Një magazinë në rrugën e Arbërit në Tiranë ishte kthyer në një punishte rrobash. Policia e Shtetit zbuloi një ambient ku stampoheshin veshje të kontrabanduara, me logo false. Përzgjedhja nuk kishte limit! Nga pamjet e operacionit të Policisë, duken stampat që mund të zgjedhësh për çdo produkt, nga Jordan, tek Calvin Klein; The North Face dhe Tommy Hilfiger.

Në pranga kanë përfunduar 4 persona të identifikuar si Luan Haka, Ali Bushati, Xhuljo Lecaj, Arjan Hida dhe turku Ozkan Sulun.

Ndërsa në kërkim është shpallur Lindion Haka (djali i Luan Hakës), i cili është administratori i një prej fabrikave. Sipas të dhënave, koka e grupit që koordinonte këtë skemë është turku Ozkan Sulun. Teksa të gjithë të arrestuarit janë administratorë të fabrikave ku bëhej falsifikimi, Arjan Hida ishte qiradhënësi i pronave. Sa i përket, Luan Hakës, ai është më i njohur prej tyre pasi ka qenë kandidat për kryetar bashkie Dibër në vitin 2022 nën siglën e Partisë Demokratike të drejtuar asokohe nga Lulzim Basha.

Gjithashtu, përveç administratorëve dhe pronarëve, në gjendje të lirë po hetohen 4 punonjës.

NJOFTIMI I POLICISË:

Policia e Shtetit

Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DPPSh, operacioni policor i koduar “Fake Star 5”. Zbulohen në Rrugën e Arbërit, 2 magazina ku stampoheshin veshje të kontrabanduara, me logo false. Arrestohen 4 shtetas të implikuar në këto veprimtari kriminale. Shpallen në kërkim 2, njëri prej tyre shtetas turk. Procedohen në gjendje të lirë 4 punonjës. Sekuestrohen sasi të mëdha veshjesh, dhjetëra makineri qepjeje, printimi ose stampimi, logo të markave të njohura ndërkombëtare, 6 dokumente të shtetasit turk, një shumë lekësh, njësi kompjuterike, 1 celular, si dhe sende/dokumente të tjera që do t’i shërbejnë hetimit. Si rezultat i administrimit të inteligjencës policore, të siguruar në vijim të punës kundër kontrabandës dhe krimeve të tjera ekonomiko-financiare, se në Rrugën e Arbërit, në fshatin Brrar, magazinoheshin veshje të kontrabanduara, të cilave iu viheshin logo false të markave të njohura ndërkombëtare, Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar finalizoi operacionin “Fake Star 5”.

Gjatë operacionit: -u arrestua shtetasi L. H. dhe u shpall në kërkim djali i tij, shtetasi L. H., bashkadministratorë të njërës prej magazinave; -u arrestuan shtetasit A. B. dhe Xh. L., bashkadministratorë të magazinës tjetër; -u arrestua shtetasi A. H., qiradhënës i pronave; -u shpall në kërkim shtetasi turk O. S., i cili koordinonte realizimin e këtyre veprimtarive kriminale; -u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për shtetasit R. Gj., Z. H., Sh. M. dhe A. H., punonjës në këto magazina.

Si rezultat i ndërhyrjes së menjëhershme, u konstatua se 2 magazinat ishin të pajisura me linja makinerish për qepje, printim dhe stampim me logo false, të markave të njohura ndërkombëtare, të veshjeve dhe aksesorëve të dyshuar të kontrabanduar.

Punohet për lokalizimin dhe kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”, “Punësimi i paligjshëm”, “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë”, “Fshehja e të ardhurave”, “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve” dhe “Moskallëzimi i krimit”./ZËRI

Poll

MOS HUMB