TIRANË-Gjon Shkambi, xhaxhai i Elvis Shkambit, autori i vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja është tërhequr nga kërkesa e tij ne Apel për ndryshim të masës së sigurisë. Seanca e sotme në Gjykatën e Apelit me Juridiksion të Përgjithshëm ishte parashikuar të mbahej në orën 11:30 për shqyrtimin e kërkesës së Shkambit, por pas tërheqës se te pandehurit nga kërkesa, seanca nuk u zhvillua.
Shkambi, mbi të cilin rëndojnë akuzat për veprat penale “Vrasja e funksionarëve publikë” e kryer në bashkëpunim dhe “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave” e mbetur në tentativë dhe e kryer në bashkëpunim, kërkoi ndryshimin e masës arrest me burg, pasi sipas tij nuk ekzistojnë kushtet qe të mbahet në paraburgim, dhe se nuk ka lidhje me vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja.
Ndërkohë Gjykata e Tiranës ka pranuar kërkesën e prokurorisë për zgjatje të afateve hetimore për një periudhe tre mujore për të verifikuar disa akte ekspertimi telefonike, të cilat janë dërguar ne laboratorin e Prokurorisë së Posaçme.
Sipas Prokurorisë, xhaxhai i autorit, Gjon Shkambi dyshohet se kishte dijeni për planin e nipit të tij ndaj palës kundërshtare në procesin gjyqësor dhe se mund të ketë luajtur rol nxitës në tentativën për të vrarë babë e bir, të cilët jetojnë në pronën që ai pretendon në Shkodër. Në të njëjtën kohë, Prokuroria ka ndryshuar kualifikimin fillestar të akuzës, duke hequr nga akuza vrasjen e gjyqtarit.
Si ndodhi ngjarja?
Gjyqtari Astrit Kalaja humbi jetën më 6 tetor, gjatë një seanca gjyqësore. Ai po shyrtonte një çështje që kishte të bënte me një rast pronësie në qarkun e Shkodrës. Autori, Elvis Shkambi, ka pretenduar se ka qenë palë e dëmtuar në çështjen e pronësisë. Momenti fatal i të shtënave është regjistruar sapo gjyqtari Astrit Kalaja është çuar për të dhënë vendimin. Në atë moment, Shkambi ka nxjerrë pistoletën dhe e ka qëlluar gjyqtarin me 3 plumba në gjoks. Gjyqtari Astrit Kalaja nuk arriti t'i mbijetonte 3 plumbave në gjoks dhe humbi jetën rrugës për në spital. Ndërkohë, si pasojë e plumbave kanë mbetur të plagosur edhe 2 persona të tjerë (babë e bir) Rakip dhe Ervis Kurtaj, të cilët aktualisht ndodhen në spital. Në pranga kanë rënë autori, xhaxhai i tij Gjon Shkambi dhe roja e sigurisë, Banush Koxhaj, që e lejoi hyrjen e armatosur të autorit në ambientet e gjykatës, ku ndodhi krimi./ZËRI