Aktualitet

Zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës, Celibashi: Nuk do i rrimë pas derës presidentit, ta pyesim ‘a ke dekret tjetër’

Ilirjan Celibashi tha në Komision se KQZ nuk ka rol që të diskutojë nëse janë kushtetuese apo jo dekretet e nxjerra nga presidenti

E.K
Zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës, Celibashi: Nuk do i rrimë
ilirjan celibashi ne komision

TIRANË- Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi raportoi sot veprimtarinë institucionale të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vitin 2024 në mbledhjen e përbashkët të Komisionit për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike me Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale. Një prej pikave që u diskutua në Komision ishte dhe dekreti i presidentit Bajram Begaj për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në Bashkinë e Tiranës.

“KQZ është në pritje gjithmonë deri në momentin që del dekreti i presidentit. Në momentin që presidenti nxjerr dekretin, KQZ merret me procesin zgjedhor, nuk rri pas derës së presidentit dhe të pyesë ore ke ndonjë dekret tjetër. KQZ nuk është në autoritetin për të vlerësuar kushtetutshmërinë e dekreteve të Presidentit, por në kuptim të përgjegjësisë ka detyrimin për të përgatitur procesin zgjedhor”, u shpreh Celibashi.

Dekreti i Presidentit për zhvillimin e zgjedhjeve në Bashkinë e Tiranës më 9 nëntor pavarësisht ankimit të Erion Veliajt në Gjykatën Kushtetuese për shkarkimin e tij është kundërshtuar nga opozita, e cila pretendon se procesi është i nxituar dhe politikisht i njëanshëm.

Megjithatë, Celibashi u shpreh i prerë se institucioni që ai drejton do të zbatojë ligjin dhe do të përgatisë zgjedhjet në përputhje me detyrimet ligjore dhe kushtetuese.

Për sa i përket financimit të partive politike, Celibashi tha se “për vitin 2024, nga buxheti i shtetit, i cili iu vu në dispozicion KQZ-së, u shpërndanë 345 milionë lekë si fonde vjetore për partitë politike, këto sipas parashikimeve të ligjit për partitë politike”.

Celibashi bëri të ditur se vetëm 50 nga 132 parti politikë dorëzuan raportet financiare.

“Vetëm 50 nga 132 nga partitë dorëzuan raporte financiare për veprimtarinë e tyre politike apo edhe elektorale ku ka qenë rasti të vitit 2023. Të gjithë partive të tjera që nuk iu përmbajtën parashikimeve të Kodit Zgjedhor apo akteve të tjera, iu vendosën sanksione për rastin. Në kuadër të këtij procesi, KQZ nëpërmjet një procedure transparente, përzgjodhi 12 audituesit ligjorë të cilët bënë gjithë procesin e verifikimi të raporteve financiare të partive politike”, tha Celibashi.

Sa i përket buxhetit të KQZ, për vitin 2024, Celibashi tha se “u alokuan nga Kuvendi dhe këshilli i ministrave, 300 milionë lekë, por pas rishikimeve, për shkak të procesin zgjedhor të Himarës dhe të zgjedhjeve parlamentare të mbajtuar në vitin 2025, kjo shkoi në 650.9 milionë lekë duke përfshirë gjithë shpenzimet”.

“Nga vlerësimi i institucioneve audituese të brendshme dhe të jashtme, është konstatuar një menaxhim korrekt i fondeve buxhetore të KQZ”, u shpreh Celibashi.

Celibashi tha se “për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, u miratuan kryesisht në periudhën e fundit të vitit 2024, rregullat për regjistrimin e votuesve nga jashtë dhe procedurat për regjistrimin e votuesve nga jashtë. U organizuan të gjitha programet e edukimit trajnimit dhe ndërgjegjësimit të zgjedhësve. Kryesisht veprimtaria e KQZ-së për 2024 ka qenë impenjative relativisht në pjesën e fundit të vitit 2024 dhe kjo duke përjashtuar zgjedhjet e 4 gushtit 2024, për përgatitjen për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë 2025”./ZËRI 

Poll

MOS HUMB