LUSHNJË- Një zjarr ka përfshirë një pjesë të tregut të fruta-perimeve në qytetin e Lushnjës gjatë orëve të para të mëngjesit të së martës, rreth orës 03:30 pas mesnate.
Si pasojë e flakëve është djegur pothuajse gjysma e çatisë së tregut, si dhe raftet dhe mallrat e vendosura aty. Raportohet se zjarri ka përfshirë tezgën që ishte rikonstruktuar rreth tre vite më parë.
Forcat zjarrfikëse të Lushnjës ndërhynë në kohë, duke izoluar dhe shuar flakët para se situata të përshkallëzohej më tej.
Deri më tani nuk dihen shkaqet e rënies së zjarrit, ndërsa autoritetet po hetojnë nëse zjarri ka qenë aksidental apo i qëllimshëm. Policia po verifikon kamerat e sigurisë për të zbardhur rrethanat dhe shkakun e ngjarjes./ZËRI