Aktualitet

Zjarret/ Vatra aktive në Poliçan, por ende larg Uzinës, evakuohen banorët në Dhivër, riaktivizohet flaka tek fusha e mbetjeve në Vlorë

Zjarret e fundit në Shqipëri kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme.

k.m.
Zjarret/ Vatra aktive në Poliçan, por ende larg Uzinës,
Foto ilustruese

TIRANË- Me rritjen e temperaturave, janë rikthyer edhe vatrat e zjarrit në Shqipëri. Ministria e Mbrojtjes njofton se gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 21 vatra zjarri, nga të cilat 18 janë shuar dhe 3 janë ende aktive. Aktualisht vatrat aktive janë në Vlorë: tek malet mbi fshatin Dhivër, bashkia Finiq. Zjarri vijon të përhapet mbi zonat Cerkovicë, Llupsat dhe Shëndre, në një sipërfaqe pyjore me pisha dhe bimësi të ulët. Po ashtu, një vatër e re është shtuar në këtë qark pasditen e sotme, pasi është përfshirë sërish nga flakët fusha e grumbullimit të mbetjeve.

Berat është përfshirë nga flakët zona e ish-Uzinës Mekanike Poliçan, ndërsa në Fier po digjet fshati Lofkënd dhe Patos. Deri tani, raportohet se janë djegur rreth 5 hektarë pyll dhe shkurre.

Shefi i zjarrfikësve në Patos, Alket Halimi, kërkon ndërhyrje të menjëhershme nga ajri për të vënë nën kontroll zjarret, duke u shprehur se situata aktuale është shumë e vështirë dhe se flakët arrijnë deri në lartësinë 50 metra, kështu që ndërhyrja nga toka bëhet e pamundur.

“Zjarri ka marrë përmasa të jashtëzakonshme. Zjarri ndihmohet nga era e fortë. Do jetë e vështirë të vendosen flakët nën kontroll. Kërkohet ndërhyrje e menjëhershme nga ajri. Lartësia e flakëve arrin në rreth 50 metra. Kanë ardhur forca dhe mjete të jashtëzakonshme, por është e pamundur. Flakët arrijnë lartësi shumë të madhe dhe është e pamundur të ndërhysh. Për momentin zjarri është në pisha, zjarrfikëset janë pozicionuar në afërsi të banesave për të bërë ndarjen e zjarrit. Terreni është shumë i thyer dhe era është e fortë. Rrezikohet seriozisht jeta e zjarrfikësve. Për momentin nuk rrezikohet asnjë banesë,”- theksoi shefi i zjarrfikësve të Patosit.

Nga të dhënat në terren, zjarri në zonën e Poliçanit në Berat vijon të jetë aktiv në zonën e pyllit, larg Kombinatit të Armëve. Ndërkohë, Policia e ka identifikuar autorin e zjarrvënies në territorin e Uzinës së Armëve në Poliçan. Ai është një 63-vjeçar, banor i zonës, i cili rezulton si person që ka probleme të shëndetit mendor.

Në Finiq, për shkak të përkeqësimit të situatës, mbrëmjen e djeshme u mor vendimi për evakuimin e banorëve të fshatit Dhivër si një masë sigurie. Fatmirësisht, deri më tani nuk raportohen dëme në njerëz. Ndërkohë që sot vazhdon ende "lufta" me flakët. Që prej mëngjesit sot, zjarri është përhapur në fshatrat Dhivër, Kularat, Cerkovicë, Shën Ndre dhe Janicat, ndërsa rrezikohen edhe fshatrat Leshnicë, Memoraq dhe Navaricë. Në Cerkovicë dhe Shën Ndre janë djegur gjithsej 4 shtëpi të pabanuara, ndërsa dëmin më të madh banorët e zonës e kanë pasuar nga djegia e ullinjve dhe pemëve frutore.

Zjarret e fundit në Shqipëri kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në zona të ndryshme, duke vënë në rrezik pyjet dhe komunitetet përreth. Ndërhyrja e shpejtë e forcave zjarrfikëse dhe bashkëpunimi me banorët kanë qenë kyçe për të ndalur përhapjen e tyre. Megjithatë, sfidat mbeten të mëdha, veçanërisht për shkak të kushteve klimatike dhe mungesës së burimeve të mjaftueshme./ZËRI

Poll

MOS HUMB