TIRANË- Një person është zhdukur në det pak ditë më parë, pasi u rrëzua nga një traget i linjës Greqi-Itali. Ngjarja ndodhi më 4 gusht të këtij viti, kur një shtetas francez përfundoi në det. Ende nuk dihet nëse është vetëhedhur, apo rënë aksidentalisht pasi nuk është ndjerë mirë gjatë udhëtimit. Që tre ditë më parë, kur u vu re mungesa e tij, Qendra Kombëtare e Kërkim-Shpëtimit, në bashkëpunim me Forcat e Armatosura, Policinë Kufitare dhe autoritetet italiane, nisën një operacion të gjerë për kërkimin e pasagjerit. Ndërkohë që ende nuk ka asnjë gjurmë prej tij.
Operacioni ka nisur fillimisht nga autoritetet italiane në zonën përreth vendngjarjes, ndërkohë që forcat shqiptare janë përfshirë për të zgjeruar perimetrin e kërkimit, nga Kepi i Stillos në jug deri në grykëderdhjen e Semanit në veri. Kërkimi po zhvillohet në bashkëpunim të vazhdueshëm ndërinstitucional dhe ndërkombëtar, duke ndjekur protokollet e kërkim-shpëtimit në det.
Deri më tani nuk ka ende rezultate, ndërsa operacioni pritet të vijojë edhe në ditët në vijim, në varësi të kushteve detare dhe zhvillimeve në terren. Në det aktualisht po kërkohet me mjete ajrore, dron, por edhe me motorë uji dhe mjete të tjera detare.
Por jo vetëm kaq! Nga ana e autoriteteve shqiptare është dhënë njoftim edhe për anijet turistike dhe peshkarexhat, që të jenë të kujdesshme dhe të raportojnë çdo sinjal të mundshëm ose çdo shenjë që mund të gjejnë prej turistit. Teksa kërkimet vijojnë, ende nuk ka asnjë sqarim as nga ana e tragetit ndërkombëtar “AKKA”./ZËRI