
DURRËS- Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me operacionin “Summer” të Policisë së Shtetit në Durrës. Raportohet se drejtori i shkollës artistike Dashamir Mehmeti është arratisur nga avllia e banesës në momentin që ka pikasur Policinë. Ai ka qenë duke qëndruar në oborrin e banesës kur ka parë efektivët e Policisë, në këtë moment është larguar me vrap duke humbur nga sytë e efektivëve. Ky i fundit vijon të jetë në kërkim së bashku me Orgito Meman dhe Enis Piton.
Në banesën e drejtorit të shkollës artistike, pas kontrolleve, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale, 1 pistoletë, pranga, 3 targa makinash, celularë të ndryshëm dhe 2 makina, një Benz GLK dhe një Opel Corsa.
Ndërsa të pandehurit e tjerë kanë dalë këtë të hënë para gjykatës ku janë njohur me masat e sigurisë ndaj tyre. Në fund të saj në “arrest në burg” u lanë 4 persona, 7 të tjerë në “arrest në shtëpi” dhe 4 në “detyrim paraqitje”, nën akuzë për shitje droge dhe dy prej tyre për “armëmbajtje pa leje”.
Gjatë operacionit janë arrestuar e ndaluar 15 persona, 3 janë shpallur në kërkim dhe 4 të tjerë janë proceduar penalisht. Të arrestuarve u janë sekuestruar një arsenal armësh, kokainë, heroinë e kanabis, peshore elektronike, shuma parash të përfituara nga kjo veprimatri kriminale, automjete e telefona celular. Në pranga përfunduan: Durim Meta, Florian Demiri, Flamur Tare, Diamant Shkina, Sadik Lako, Rustem Kolgjini, Zamir Hoxha, Mariglen Lisi, Saimir Sina, Klodian Sehiti, Mateos Jeshili, Ergert Patlli dhe Gerald Taraj, Xhuliano Xhaferi dhe Mehmet Meta. Ndërsa në kërkim janë shpallur: Dashamir Mehmeti, Orgito Mema dhe Enis Piro./ZËRI